"Më mirë për Tetovën": Të përgatiten zgjidhje të reja ligjore të cilat i përfshijnë kërkesat e kandidatëve të pavarur
- – Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” në konferencën e sotme për media kërkoi që të mos miratohet propozim-vendimi i VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, ZNAM-it dhe VLEN-it sepse, siç thanë, dukshëm e rrit numrin e nënshkrimeve të nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhje dhe e mbyll derën për kandidatët e pavarur në shumë komuna.
- Post By Fitore Curri
- 15:21, 19 qershor, 2025

Tetovë, 19 qershor 2025 (MIA) – Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” në konferencën e sotme për media kërkoi që të mos miratohet propozim-vendimi i VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, ZNAM-it dhe VLEN-it sepse, siç thanë, dukshëm e rrit numrin e nënshkrimeve të nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhje dhe e mbyll derën për kandidatët e pavarur në shumë komuna.
Ata vlerësojnë se në vend që të garojnë me ide të reja për përmirësimin e jetës së qytetarëve, parti politike përsëri intervenojnë në Kodin Zgjedhor që ta vështirësojnë pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje.
“Ndryshimet e reja janë një përpjekje për të fshirë votat e pavarura nga harta politike. Ky është një sulm ndaj të drejtës së çdo qytetari për të kandiduar për poste dhe për të zgjedhur lirisht. Për krahasim, në shumicën e vendeve evropiane, kërkohen më pak se 200 nënshkrime për kandidatët e pavarur, ndërsa tani, për shembull, për Tetovën, propozohen deri në 900 nënshkrime, pothuajse aq sa kërkohen për të formuar një parti politike. Ky propozim ligj është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike dhe evropiane”, theksoi Elmedina Abdullahi nga "Më mirë për Tetovën".
Nga nisma theksojnë se partitë po bëjnë përpjekje që propozim-ligjin ta miratojnë me procedurë të shkurtër, pa debat publik, pa transparencë – edhe pse i njëjti ishte anuluar para vetëm një muaji nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tani kthehet në formë edhe më radikale.
“Ironia më e madhe është se ky ligj është nënshkruar nga deputeti Bekim Qoku, i cili paraqitet si përfaqësues i ‘Lëvizjes Vetëvendosje’, subjekt që doli pikërisht nga aktivizmi qytetar, ndërsa me nënshkrimin e tij i shpalli luftë aktivizmit dhe u integrua plotësisht në mentalitetin e prapambetur të partive politike”, theksoi Abdullahi.
Kërkesat e tyre janë që të mos votohet propozim-ligji aktual, të përgatiten zgjidhje të reja ligjore të cilët i përfshijnë kërkesat e kandidatëve të pavarur, të organizohet debat publik me ekspertë dhe qytetarë, të miratohet zgjidhje demokratike dhe kushtetuese, listat e mbyllura të zëvendësohen me lista të hapura. fc/
Foto: MIA