• e enjte, 17 shtator 2026

Lidhja Shqiptare: Qeveria aktuale i sulet arsimit shqip, do të na kthejë në vitet e 90-ta

Lidhja Shqiptare: Qeveria aktuale i sulet arsimit shqip, do të na kthejë në vitet e 90-ta

16 gusht 2026 

Vendimet e fundit kokë në vete të ministres Vesna Janevska dhe deklaratat e saj publike në të cilat vërehet qartë tendenca për të injoruar Badenterin dhe të sjellë ligjet për arsim sipas qejfit të tyre, dëshmojnë qartë hovin e Qeverisë aktuale kundër arsimit në gjuhën shqipe, theksohet në komunikatën e Lidhjes Shqiptare, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Fillimisht pa debat publik, pa konsultim me ekspertë dhe autoritetet lokale dhe pa një analizë të mirëfilltë, vetëm me vendim të ministres është ulur numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në të gjitha komunat shqiptare.

Pas kësaj, Janevska informoi se ka reduktuar numrin e studentëve që do të pranohen në disa fakultete me arsyetimin se ka shumë kuadro që nuk punësohen. Ndërkohë kujtojmë se kjo Qeveri në praktikë ka bllokuar punësimin e të rinjëve shqiptarë, propozon ligj për përfaqësim të drejtë që eliminon kuotat etnike dhe krimin e vet tani e përdor edhe si alibi për të mbyllur katedra e fakultete.

Edhe më skandaloze është deklarata për të sjellë ligjet për arsim të lartë pa Badenter që në gjuhën e thjeshtë përkthehet "pa i pyetur shqiptarët".

Këto veprime nuk çojnë askund tjetër vetëm se në vitet e 90-ta kur pushteti njëjtë ndalonte ndërsa shqiptarët kërkonin shkolla shqipe, fakultetin pedagogjik dhe universitetin në gjuhën amtare, për çka kemi edhe dëshmorë!

E gjithë kjo po ndodh me aminin, heshtjen dhe vasalitetin e të përzgjedhurve shqiptarë të Mickoskit në Qeveri. 
#Turp! #Tradhëti #Vasalitet

Lidhja Shqiptare

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR