Lënda kundër Grubit dhe shtatë të tjerëve për "Lotarinë Shtetërore" fillon më 24 gusht
- Lënda kundër ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë për keqpërdorime në SHA "Lotarinë Shtetërore" përmes shpërndarjes automatike i është përcaktuar një gjyqtari dhe është caktuar për 24 gusht, informojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.
- Post By Ramize Qamili
- 18:48, 13 gusht, 2026
Shkup, 13 gusht 2026 (MIA) - Lënda kundër ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë për keqpërdorime në SHA "Lotarinë Shtetërore" përmes shpërndarjes automatike i është përcaktuar një gjyqtari dhe është caktuar për 24 gusht, informojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.
Prokuroria Themelore Publike Shkup, më herët ngiti aktakuzë kundër Artan Grubit dhe shtatë personave të tjerë, të cilët siç informojnë nga Prokuroria gjatë vitit 2023 dhe 2024, ndërmorën bashkërisht veprime me të cilat tejkaluan kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të tyre të veçanta, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm personit juridik të dëmtuar, Shoqërisë aksionare për organizimin e lojërave të fatit të Lotarisë Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një shumë të konsiderueshme prej 507.632.173 denarësh.
"Prokuroria Themelore Publike në Shkup ngriti aktakuzë kundër Artan Grubit dhe personav të tjerë.Të gjithë të akuzuarve u ngarkohet vepra penale - Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, paragrafi 5, në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. Përmes caktimit automatik, lënda i është caktuar gjyqtares Biljana Shuplinovska - Jovevski dhe e njëjta është caktuar për 24 gusht në orën 10:00" informuan pasdite nga Gjykata Penale.
I akuzuari i parë - ish-drejtori i "Lotarisë Shtetërore" Përparim Bajrami ende nuk është i qasshëm për organet e rendit, gjegjësisht është në arrati, dhe për atë Prokuroria kërkon që t'i caktohet arresti shtëpiak për një periudhë prej 30 ditësh, ndërsa për të akuzuarin e dytë - Artan Grubi, është propozuar vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak të shqiptuar më parë, e cila iu shqiptua së bashku me masën paraprake - sekuestrim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për lëshimin e dokumentit të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror.
"Duke pasur parasysh se Prokuroria Themelore Publike Shkup ka parashtruar propozim aktakuzë, masa e paraburgimit në përputhje me nenin 470, paragrafi 4 i Ligjit për procedurë penale mund të zgjasë maksimalisht 60 ditë nga data e paraqitjes së propozimit deri në përfundimin e seancës kryesore, përkatësisht maksimumi 60 ditë nga sot", informuan nga Gjykata Penale.
Grubi, pas më shumë se 14 muajsh në arrati, në shkurt të këtij viti u arrestua në vendkalimin kufitar Bllacë. Pas marrjes në pyetje në Prokurori, Grubi, në vend që të mbahej në paraburgim, të cilit më herët i ishte caktuar në mosprezencë, për arsye sigurie, iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
Foto: arkivi i MIA-s