• e premte, 30 gusht 2024

Kryeministri Mickoski për vizitë të parë zyrtare në Kroaci, nënshkrim i marrëveshjeve në pjesën e shëndetësisë dhe arsimit

Kryeministri Mickoski për vizitë të parë zyrtare në Kroaci, nënshkrim i marrëveshjeve në pjesën e shëndetësisë dhe arsimit

Zagreb, 29 gusht 2024 (MIA) - Kryeministri Hristian Mickoski sot është për vizitë të parë zyrtare në Republikën e Kroacisë, me ftesë të kolegut të tij kroat Andrej Plenkoviq, njofton raportuesi i MIA-s nga Zagrebi.

Në Zagreb, kryeministri Mickoski prëveç me kryeministrin kroat, do të realizojë takim edhe me presidentin kroat Zoran Milanoviq dhe me kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Zhelko Peiner.

Në fokus të bisedimeve do të jetë integrimi evropian i shtetit tonë, mbështetja kroate, si dhe sfidat e rrugës drejt integrimit të plotë të vendeve të Balkanit Perëndimor. Në takime pritet të bëhet fjalë edhe për mundësitë për intensifikim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, sidomos në pjesën e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar.

Në kuadër të vizitës sot do të nënshkruhen edhe dy marrëveshje në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, me të cilat do të avancohet bashkëpunimi i ndërsjellë përmes shkëmbimit të përvojave dhe projekteve me interes të përbashkët.

Bashkëpunimi në fushën e arsimit është për harkun kohor deri në vitin 2028 dhe do ta nënshkruajnë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe ministri kroat i Shkencës, Arsimit dhe Rinisë, Radovan Fuks, ndërsa plani për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë e përfshin periudhën deri në vitin 2026 dhe do të nënshkruhen në këtë dokument ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe kolegu i tij kroat Vili Berosh.

Pjesë e delegacionit qeveritar është edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili dje mori pjesë në një sesion të veçantë të Konferencës vjetore të ambasadorëve, konsujve të përgjithshëm dhe përfaqësuesve ushtarakë të Kroacisë jashtë vendit.

Në kuadër të vizitës në Kroaci është parashikuar që kryeministri Mickoski të takohet me përfaqësues të diasporës. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR