Kodra Likavitos në Athinë – metropoli grek në pëllëmbë të dorës
- „Cila është ajo kodër atje me kishën e bardhë?“ – është pyetja që turistët në Athinë e bëjnë mjaft shpesh, përderisa nga Akropoli ose nga ndonjë vend tjetër qendror tregojnë drejt kodrës së dytë më të lartë në kryeqytetin grek – kodrës Likavitos, e cila qendron në 277 metra mbi nivelin e detit dhe 227 metra mbi nivelin e qytetit, ndërsa shpesh quhet edhe „ballkoni i Athinës“.
Athinë, 12 korrik 2026 (MIA)
Sanja Ristovska – korrespondente e MIA-s nga Greqia
„Cila është ajo kodër atje me kishën e bardhë?“ – është pyetja që turistët në Athinë e bëjnë mjaft shpesh, përderisa nga Akropoli ose nga ndonjë vend tjetër qendror tregojnë drejt kodrës së dytë më të lartë në kryeqytetin grek – kodrës Likavitos, e cila qendron në 277 metra mbi nivelin e detit dhe 227 metra mbi nivelin e qytetit, ndërsa shpesh quhet edhe „ballkoni i Athinës“.

Është interesant për t’u vëzhguar nga larg, por edhe më interesant kur vizitohet – ofron një pamje të pothuajse të gjithë Athinës, si dhe të rajonit më të gjerë të periferisë së Atikës – nga Akropoli deri te Gjiri Saronik, dhe konsiderohet një nga simbolet më të njohura të metropolit, por edhe vendi nga ku perëndimi i diellit është më i bukuri.
Shumë shpesh Likavitos shfaqet në fotografitë ose insertet që gazetarët përdorin në tekstet, raportet ose kronikat e tyre, jo vetëm për Athinën, por edhe për Greqinë.

Në vetë majën dallohet kisha e vogël „Shën Gjergji“, e ndërtuar në shekullin XIX.
Me ngjyrën e saj të bardhë dhe kupolat blu, ajo të kujton një ndërtesë të Ishujve Cikladikë dhe, në kombinim me erën e këndshme, të transporton në një vend tjetër, idilik, larg zhurmës së qytetit, trafikut të dendur dhe asfaltit përvëlues, veçanërisht gjatë periudhës së verës.

Edhe më mbresëlënëse është pamja nga Likavitos – pothuajse e gjithë Athina është në pëllëmbë të dorës dhe pothuajse të gjitha simbolet e rëndësishme të qytetit: Akropoli, stadiumi antik olimpik „Panathinaiko“ ose Kalimarmaro, parlamenti, madje edhe periferia e Pireut me portin më të madh grek dhe stadiumin e sallën sportive të KF dhe KB Olimpiakos, riviera e Athinës dhe rrokaqielli i ri që po ngrihet gradualisht në bregdet.

Nëse atmosfera është e kthjellët dhe dukshmëria e mirë, në thellësi, larg në Gjirin Saronik, mund të shihen ishujt Salamina dhe Egina, ndërsa në ditë jashtëzakonisht të kthjellëta mund të dallohen edhe ishujt Agistri dhe Poros.
Shkëmbi i madh i perëndeshës Athena
Likavitos është një kodër natyrore, pothuajse pa asnjë ndërhyrje artificiale, ndërsa historia e saj, si shumë gjëra të tjera në Greqi, besohet se e ka origjinën në mitologjinë greke

Miti thotë se perëndesha Athena mori një shkëmb gjigant nga pjesa veriore e qytetit për ta çuar në Akropol dhe për të mbrojtur Partenonin. Megjithatë, gjatë transportimit të tij, një korb i solli një lajm të keq (dhe që nga ajo kohë korbat janë të zinj), ndërsa për shkak të tronditjes dhe shqetësimit, perëndesha e lëshoi shkëmbin nga duart dhe ai ra pikërisht aty ku sot ndodhet Likavitos.
Ekzistojnë edhe versione të tjera të mitologjisë greke, por ky është më dominuesi dhe më i pranuari në Greqi.

Për origjinën e emrit ekzistojnë disa interpretime. Disa mendojnë se ai vjen nga një shprehje e lidhur me ujqërit e shumtë që dikur jetonin në kodër; të tjerë besojnë se emri lidhet me lindjen e diellit, sepse në kohët antike mendohej se dielli lindte pas Likavitosit; ndërsa sipas një teorie tjetër, emri rrjedh nga një fjalë që lidhet me formën e kodrës, e cila i ngjan gjoksit të një gruaje.

Për shkak të shpateve të pjerrëta, në Likavitos nuk ka shumë gjurmë të ndërhyrjes njerëzore, as gjetje arkeologjike. Vetëm në një periudhë të caktuar në të kaluarën, pranë tij ka ekzistuar një gurore, në vendin e së cilës sot ndodhet teatri veror.
Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në afërsi ishte ndërtimi i një rezervuari të madh uji në lagjen e sotme Deksameni në Kolonaki, si dhe ndërtimi i një kishe kushtuar Shën Ilisë diku në Mesjetë. Kisha e sotme „Shën Gjergji“ u ngrit mbi themelet e saj pasi Athina u bë kryeqyteti i shtetit të ri grek në shekullin XIX.

Kisha e vogël "Shën Gjergji", e ndërtuar në vitin 1834
Kisha e vogël e bardhë, e vendosur pikërisht në majën e Likavitosit, është e dukshme nga shumë vende në Athinë dhe pikërisht kjo ndërtesë, në shumë raste, është arsyeja pse një pjesë e madhe e turistëve, të paktën ata me të cilët bisedoi korrespondentja e MIA-s, vendosën ta vizitonin kodrën.

Sipas hulumtimeve, në kohët antike në majën e kodrës ndodhej një altar kushtuar zotit Zeus; gjatë sundimit osman në të njëjtin vend ka ekzistuar një kishë e krishterë, ndërsa më vonë edhe një lloj paraklisi (kishë e vogël) i Shën Ilisë, i cili pasi u braktis dhe u rrënua plotësisht, u zëvendësua me tempullin e ri kushtuar Shën Gjergjit.

Kisha e tanishme është ndërtuar në vitin 1834.
Ajo është e hapur nga ora 11:00 deri në orën 19:00, kështu që vizitorët që kanë vendosur t’i shmangen temperaturave të larta dhe ta vizitojnë kodrën në orët e paradites, duke shfrytëzuar hijen dhe freskinë para hyrjes, presin me durim që ajo të hapet.

Disa për të ndezur një qiri, të tjerë thjesht për të hyrë dhe për të parë brendësinë.
Fotografimi është i ndaluar, siç theksohet në vetë hyrjen, ndërsa gruaja përgjegjëse për qirinjtë ua rikujton këtë edhe turistëve.

Megjithatë, pjesa më e madhe, në vend që ta ruajnë në një fotografi, dëshirojnë ta mbajnë në kujtesën e tyre imazhin e kishës së vogël duke iu lutur Shën Gjergjit.
"Kodra dhe kisha, edhe pse janë të dukshme nga shumë vende në Athinë, i pamë më qartë për herë të parë kur ishim në Akropol dhe vendosëm t’i vizitonim. Erdhëm me funikular (teleferik) dhe ja ku jemi para kishës së bardhë, arkitektura e së cilës është karakteristike për Greqinë. Po presim të hapet për ta vizituar", thonë turistë amerikanë.

Në oborrin e kishës dhe në hapësirën prej nga shtrihet pamja panoramike e Athinës ndodhet edhe kambanorja karakteristike prej guri, e ndërtuar në fund të shekullit XIX, e cila është dhuratë e mbretëreshës Olga për besimtarët e Athinës

Menjëherë poshtë kishës ndodhen një restorant dhe një kafene.
Në këmbë, me makinë ose me funikular – mundësi për çdo shije për t’u ngjitur në kodër
Likavitos ndodhet në qendër të Athinës dhe për të arritur në majën e kodrës ekzistojnë disa mundësi, fjalë për fjalë për çdo shije, varësisht nga gjendja fizike dhe disponimi.
Rruga më e bukur është në këmbë. Ngjitja mund të jetë pak e lodhshme, por mbërritja në majë dhe rruga që ngadalë të ngre mbi Athinën, larg zhurmës së qytetit, është vërtet diçka që duhet përjetuar

Ndoshta jo gjatë ditëve të nxehta të verës, megjithëse ngjitja është e lehtë në orët e hershme të mëngjesit ose vonë pasdite.
Qasja në këmbë drejt Likavitosit është e mundur edhe nga pjesa e përparme, siç e quajnë athinasit, pra nga shpati jugor, nga qendra e Athinës dhe lagjja Kolonaki, që konsiderohet hyrja kryesore dhe më e njohur, por edhe nga pjesa e pasme, ana veriore më e qetë e kodrës, e cila është më pak e zhvilluar turistikisht dhe ka më shumë shtigje për ecje.

Përmes lagjes Kolonaki, në majë të kodrës arrihet përmes një shtegu të shënuar qartë, i cili shtrihet si gjarpër në rrëzë të saj. Edhe pse bëhet fjalë për një ngjitje, pjerrtësia dhe lartësia e shkallëve janë të moderuara.

Mundësia e dytë për të arritur në majë në këmbë është nga ana e pasme, pra nga ana verilindore, nga pjesa ku mund të arrihet edhe me makinë

Mund të ecet ose përgjatë rrugës së asfaltuar, megjithëse një mundësi më e sigurt (dhe më e këndshme) është përmes shtigjeve të shënuara mes pishave, ku pjerrësia është pak më e butë se ajo përmes Kolonakit.

Megjithëse korrespondentja e MIA-s nga Athina e vizitoi Likavitosin në një paradite të nxehtë korriku, numri i atyre që, para së gjithash turistë dhe të moshave të ndryshme, ngjiteshin në këmbë deri në majë të kodrës nuk ishte i vogël.
"Nuk është aq e frikshme, në fund të fundit nuk është mal apo alpinizëm. Nuk po them se kodra është e ulët, por shtegu është i bukur dhe i këndshëm; jemi të pajisur me ujë, kapele, syze dhe mbrojtje nga dielli, dhe bëjmë pushime të shkurtra", thonë turistë nga Japonia

Për katër minuta në majën e Likavitosit me funikularin që funksionon pa ndërprerje tashmë prej 61 vitesh
Për ata që nuk duan të ecin, ekziston edhe funikulari, i cili për pak minuta i çon deri në majën e kodrës.

Ideja për ta lidhur Likavitosin me qendrën e Athinës përmes një teleferiku ose funikulari daton që nga viti 1923, megjithatë realizimi filloi vetëm disa dekada më vonë, ndërsa funikulari nisi punën në prill të vitit 1965 dhe që atëherë funksionon pa ndërprerje tashmë më shumë se 60 vjet, 365 ditë në vit.

Sipas shkrimeve në gazetat e asaj periudhe, në tre muajt e parë pas fillimit të punës, funikulari pati një sukses të madh dhe numri i athinasve dhe vizitorëve të huaj që e përdorën arriti në 256.321 persona.
Edhe pse quhet edhe teleferik, në fakt bëhet fjalë për një tren që lëviz nëpër një tunel mbi shina. Gjatësia e linjës është 210 metra dhe ka një pjerrësi prej 28 gradësh, ndërsa udhëtimi deri në majë zgjat katër minuta.

Ka dy vagona në drejtime të ndryshme, njëri për ngjitje dhe tjetri për zbritje, me kapacitet prej 34 pasagjerësh secili.
Punon çdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 02:00 pas mesnate. Çmimi është 10 euro për ngjitje, shtatë euro për zbritje ose 13 euro për të dy drejtimet.

Orari i lëvizjes është në çdo 30 minuta, megjithatë, në varësi të interesimit dhe numrit të vizitorëve, vagonët qarkullojnë edhe në çdo 15 minuta.
Punonjësit i thanë MIA-s se funikulari është i popullarizuar gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në periudhën e verës, ndërsa më i frekuentuari është gjatë verës në orët e vona të pasdites, kur vizitorët ngjiten në Likavitos për të shijuar perëndimin e diellit.

Atëherë ai qarkullon në çdo pesë minuta.
"Është vapë, dielli përvëlon; do të ngjitemi me funikular dhe ndoshta do të kthehemi në këmbë. Tani na thanë se në fakt bëhet fjalë për një tren që kalon nëpër tunel dhe u zhgënjyem pak, sepse mendonim se udhëtimi deri në majë do të shoqërohej me pamje të Athinës", thotë një grup turistës.

Një tjetër mundësi, ndoshta më pak e popullarizuar për turistët, për të arritur në kodër, është me makinë ose taksi, ndërsa pak poshtë majës ndodhet një parking i madh.
Parkingu, sidomos gjatë periudhës së verës, është një vend grumbullimi për të rinjtë grekë, larg temperaturave të larta në qytet.

Koncertet dhe ngjarjet kulturore në teatrin veror i japin gjallëri shtesë Likavitosit
Menjëherë pranë parkingut të madh ndodhet edhe teatri i hapur, ku gjatë periudhës së verës mbahen koncerte, shfaqje dhe ngjarje kulturore, të cilat e gjallërojnë edhe më shumë këtë pjesë të qytetit.
Megjithëse zyrtarisht u ndërtua në vitin 1965, në vendin e ish-gurores, pikërisht në qendër, në një hapësirë natyrore të thelluar të krijuar nga shfrytëzimi shumëvjeçar i gurit, gjatë diktaturës së Joanis Metaksasit, në periudhën 1936–1941, ai ishte përdorur si skenë e hapur.

Nga qershori i vitit 2013, teatri i Likavitosit ishte i mbyllur për dhjetë vjet, pasi u vlerësua si konstruktivisht i pasigurt. Pas rindërtimit të gjerë të realizuar nga Komuna e Athinës, ai u rihap dhe u vu sërish në përdorim në shtator të vitit 2023.
Sot, teatri i Likavitosit është një nga skenat koncertale më prestigjioze në Greqi, ku kanë performuar një sërë legjendash botërore të muzikës, nga Ray Charles dhe Bob Dylan, deri te Deep Purple, Pet Shop Boys, Scorpions dhe Nick Cave.

Megjithëse gjatë periudhës së verës shumica e vizitorëve të Likavitosit janë turistë, kodra mbi Athinë nuk është vetëm një atraksion turistik.
Për athinasit, ajo është një vend për shëtitje, rekreacion dhe arratisje nga përditshmëria dhe zhurma e qytetit.

Në të kaluarën, deri në vitet e ’50 - ta shekullit të kaluar, ishte një destinacion i preferuar për banorët e Athinës për ekskursione njëditore dhe piknikë, për ta kaluar ditën në natyrë, por edhe për të ndezur një qiri në kishën që ndodhet në vetë majën e kodrës.
Likavitos nuk është një destinacion vetëm dimëror apo veror; kodra gjatë 365 ditëve të vitit tërheq mijëra vizitorë – vendas dhe të huaj – si për shkak të pamjes mahnitëse drejt Athinës, ashtu edhe për shkak të qetësisë që ofron, ndërsa në rrëzë të saj qyteti jeton me ritmin e vet (të shpejtë).

Për shumëkënd, pamja më mbresëlënëse është ajo nga kodra gjatë perëndimit të diellit, kur qielli dhe qyteti ngjyrosen me nuanca të ndryshme të ngrohta, pas së cilës dritat e qytetit fillojnë të ndizen ngadalë.
Foto: MIA