KB 2026: Trampi do të marrë pjesë në finalen e madhe
- Presidenti amerikan Donald Tramp do të marrë pjesë në finalen e Kampionatit botëror midis Argjentinës dhe Spanjës, paralajmëroi mbrëmë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit.
- Post By Fami Bajrami
- 10:47, 17 korrik, 2026
Uashington, 17 korrik 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp do të marrë pjesë në finalen e Kampionatit botëror midis Argjentinës dhe Spanjës, paralajmëroi mbrëmë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit.
"I gëzohemi ndeshjes finale të së dielës dhe e di që presidenti i gëzohet njëjtë. Prania e tij do të plotësojë atë që ka qenë Kampionati botëror më i shikuar, më i sigurt dhe më i suksesshëm", tha Livit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se nuk e di nëse Trampi ka ndonjë favorit në finale, por i inkurajoi gazetarët të pyesin.
"Jam e sigurt se ai do të ketë një përgjigje zbavitëse për ju", tha Livit.
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Xhani Infantino, para disa ditësh deklaroi se është në kontakt pothuajse të përditshëm me Trampin dhe se është planifikuar së bashku t'ia dorëzojnë trofeun fituesit të finales.
"Gjithmonë ka qenë kështu, presidenti nikoqir i vendit e dorëzon trofeun së bashku me presidentin e FIFA-s. Shpresoj ta bëjmë së bashku", tha Infantino.
Finalja midis kampionit në fuqi të botës, Argjentinës dhe kampionit aktualë të Evropës, Spanjës luhet të dielën duke filluar në orën 21:00 në stadiumin "MetLajf" në Ist Raterford në Nju Xhersi.
Foto: EPA