• e hënë, 17 nëntor 2025

Kasami: Shkolla të reja, mësim gjithëditor e shumë investime në arsim

Kasami: Shkolla të reja, mësim gjithëditor e shumë investime në arsim

Shkup, 8 tetor 2025

Si kryetar i Komunës së Tetovës, i kam kushtuar vëmendje të veçantë arsimit, që e kishin lënë të katandisur, të politizuar dhe pa asnjë investim infrastrukturor.

Për herë të parë pas më shumë se 20 vjet, në Tetovë po ndërtohet shkollë. Po ndërtojmë objektin e Shkollës së Mesme Tekstile dhe të Gjimnazit “7 marsi”, objekt me hapësira moderne për mësimdhënie, laboratorë, kabinete dhe ambiente ndihmëse, duke garantuar standarde të larta infrastrukturore.

Investojmë rreth 5 milionë euro për këto dy shkolla, pjesërisht me financim të Qeverisë.

Arsimi do të mbetet prioriteti im edhe në mandatin që vjen.

Tashmë kemi planifikuar 12 projekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën në arsimin fillor, 5 për arsimin e mesëm dhe 2 për çerdhet.

Ndërtojmë shkollat fillore “Liria”, “Bratstvo-MIgjeni”, “Istikball”, “Përparimi”, “Rexhep Voka” në Shipkovicë, “Rilindja” në Sellcë, “Skenderbeu” në Xhepçisht dhe shkolla Kikish.

Bazuar në Strategjinë për Zhvillimin e Arsimit, me gjithë këto investime krijojmë kushte që brenda 5 viteve të kemi mësim gjithëditor.

Në arsimin e mesëm, përveç objekteve për dy shkollat që veçmë janë në ndërtim, do të ndërtojmë edhe objekt ndihmës për shkollën e mesme “8 shtatori” dhe bëjmë rikonstruimin e plotë të fasadës “Nikolla Shtejn”.

Në arsimin parashkollor, ndërtojmë objekt të ri për çerdhen “Rinia” në BU 57 dhe rikonstruojmë plotësisht objektet e çerdhes “Rinia” te lokacioni i njohur si Teteks, Qendra Sportive dhe Potok.

Të dashur qytetarë,

Tetova meriton arsim cilësor me infrastrukturë dinjitoze për fëmijët tanë. Tetova nuk guxon të kthehet në të kaluarën e errët të papërgjegjësisë. Vazhdojmë përpara me Kapitullin e Dytë të zhvillimit, edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm në katërvjeçarin e ardhshëm.

Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës

_______________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit

Foto: Kasami në FB

 

QËNDRONI TË LIDHUR