Kasami: Do të ndërtojmë stacion të ri të autobusëve, do të furnizojmë pesë autobusë elektrikë dhe pesë minibusa elektrikë
- - Kryetari i komunës së Tetovës dhe kandidati për mandat të ri, Bilall Kasami, paralajmëroi modernizimin e transportit publik me autobusë për qytetin dhe zgjerimin e shërbimeve të transportit deri në fshatrat malorë. Ai sot në konferencën për shtyp në qendër të Tetovës erdhi duke shfrytëzuar linjën e rregullt të autobusëve urban.
- Post By Ramize Qamili
- 16:31, 6 tetor, 2025
Tetovë, 6 tetor 2025 (MIA) - Kryetari i komunës së Tetovës dhe kandidati për mandat të ri, Bilall Kasami, paralajmëroi modernizimin e transportit publik me autobusë për qytetin dhe zgjerimin e shërbimeve të transportit deri në fshatrat malorë. Ai sot në konferencën për shtyp në qendër të Tetovës erdhi duke shfrytëzuar linjën e rregullt të autobusëve urban.
Ai sqaroi se transporti urban në Tetovë ishte jofunksional në fillim të mandatit të tij. Tha se kishin arritur t’i "lëviznin gjërat në drejtimin e duhur", ndërsa për në mandatin e dytë paralajmëroi se transporti publik do të modernizohej edhe më shumë, "siç i ka hije një qyteti universitar, kulturor dhe ekonomik si Tetova".
"Për këtë kemi një vizion dhe një plan të qartë pune, të bazuar në analiza të thella të përfshira në programin 'Një zë për Tetovën'. Në këtë mandat, do të ndërtojmë një stacion të ri modern autobusësh që do të jetë funksional, i sigurt dhe i integruar me rrjetin e transportit publik. Do të furnizojmë pesë autobusë elektrikë dhe pesë minibusë elektrikë me të cilët, përveç zgjerimit të rrjetit të transportit urban, do të jemi në gjendje të mbulojmë edhe transportin drejt fshatrave malore. Me ta, zvogëlojmë ndotjen dhe kontribuojmë në një mjedis më cilësor në Tetovë dhe për zhvillimin e turizmit në fshatrave malore", theksoi Kasami.

Ai ka edhe ide të tjera në lidhje me përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mjedisit jetësor.
"Parashikojmë stacione ekologjike-të gjelbra, të cilat do të vendosen në pika kyçe ose në pikat më të ngarkuara të qytetit. Në përputhje me planin për mobilitet, po krijojmë gjithashtu një linjë të veçantë për transportin publik dhe biçikletat. Linja do të fillojë nga stacioni në Universitetin e Evropës Juglindore, nëpërmjet bulevardit 'Ilinden' deri në qendër, dhe nga qendra do të vazhdojë drejt bulevardit 'Iliria', deri në udhëkryqin me bulevardin 'Bllagoja Toska'. Do të vazhdojë përgjatë bulevardit 'Bllagoja Toska' deri te rrethrrotullimi i fundit në stadiumin e Qytetit. Po i bëjmë të gjitha këto investime dhe modernizimin e transportit publik pa i rënduar qytetarët. Përkundrazi, po e bëjmë transportin publik plotësisht falas për të gjithë qytetarët", kumtoi Kasami.
Siç tha, "me kapitullin e dytë të zhvillimit" që po planifikojnë, Tetova do të ecë përpara dhe “nuk do të kthehet në kohët e kaosit dhe papërgjegjësisë". rq/
Foto: MIA