Jair Golan kërkon 725.000 euro dëmshpërblim nga Sara Netanjahu për shkak të pretendimeve se ai e dinte për sulmin e Hamasit më 7 tetor
- Kryetari i Partisë Demokratike të krahut të majtë në Izrael, Jair Golan, ka ngritur padi për shpifje kundër Sara Netanjahut, bashkëshortes së kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, duke kërkuar dëmshpërblim prej 2.55 milionë shekelësh (rreth 725.000 euro), pasi ajo la të kuptohej se ai kishte dijeni paraprakisht për sulmin e Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, raportoi "Tajms of Izrael.
Tel Aviv, 10 shtator 2026 (MIA) - Kryetari i Partisë Demokratike të krahut të majtë në Izrael, Jair Golan, ka ngritur padi për shpifje kundër Sara Netanjahut, bashkëshortes së kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, duke kërkuar dëmshpërblim prej 2.55 milionë shekelësh (rreth 725.000 euro), pasi ajo la të kuptohej se ai kishte dijeni paraprakisht për sulmin e Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, raportoi "Tajms of Izrael.
Në një intervistë të fundit për televizionin proqeveritar "Kanal 14", Sara Netanjahu deklaroi se Golan ishte në dijeni paraprakisht për sulmin, duke theksuar se ai ishte "trajnuar dhe përgatitur shumë, shumë herët, në një kohë kur të tjerët nuk kishin asnjë informacion".
Pas kësaj deklarate, Golan i dërgoi asaj një paralajmërim para padisë, duke kërkuar që publikisht t’i tërhiqte pretendimet, të kërkonte falje dhe të bënte një donacion të konsiderueshëm për të mbijetuarit e masakrës në festivalin "Nova". Meqë ajo e injoroi kërkesën, ai e ngriti padinë në gjykatë.
Golan, i cili është ish zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ka marrë një sërë vlerësimesh për veprimet e tij gjatë sulmit, kur me iniciativën e tij u nis drejt vendit të masakrës në festivalin muzikor "Nova" për të shpëtuar të mbijetuarit. Ai ka sqaruar disa herë se drejt jugut të Izraelit u nis rreth orës tetë të mëngjesit, gjegjësisht rreth një orë e gjysmë pas fillimit të sulmit.
Sipas deklaratës së tij, kjo padi nuk është vetëm çështje e mbrojtjes së reputacionit të tij personal, por edhe përpjekje për të përcaktuar përgjegjësinë e autoriteteve për lëshimet që çuan në sulmin e 7 tetorit. qa/
Foto: Arkivi