• e shtunë, 14 nëntor 2026

Izraeli shënoi 7 tetorin, populli kërkon përgjegjësi

Izraeli shënoi 7 tetorin, populli kërkon përgjegjësi

Израел го одбележа 7 октомври, народот бара одговорност

Tel Aviv, 7 tetor 2026 (MIA) - Izraeli sot shënoi trevjetorin e sulmit të Hamasit, pas çka presidenti Isak Hercog ndezi një qiri në rezidencën e tij në Jerusalem, në orën 06:29 të mëngjesit, në kujtim të të vrarëve dhe të lënduarve – pikërisht në orën kur filloi sulmi terrorist, në të cilin u vranë rreth 1.200 persona.

"Kanë kaluar tre vjet nga ajo mëngjes i tmerrshëm. Tre vjet dhimbje, humbje dhe kujtimi që nuk do të fshihet", shkroi Hercog në X.

Policia izraelite njoftoi në X se efektivët u mblodhën gjithashtu në mëngjes në disa prej „vendeve të luftimeve në jug“, përfshirë Sderotin, qytet pranë kufirit me Gazën, për të nderuar kolegët e tyre të rënë.

Të afërm dhe familjarë u mblodhën edhe në vendin ku u zhvillua festivali muzikor Nova, pranë kibucit Re’im, për të nderuar të afërmit dhe miqtë e vrarë në sulm, shumë prej të cilëve humbën jetën pikërisht në festival.

Rreth 50.000 persona pritet të mblidhen sonte në një park në Tel Aviv për ceremoninë komemorative qendrore.

Në disa qytete izraelite u zhvilluan gjithashtu protesta, ku u kërkua krijimi i një komisioni shtetëror hetimor për sulmin terrorist të 7 tetorit dhe dështimet që mundësuan ndodhjen e tij.

Sipas raportimeve të mediave, protestuesit u mblodhën para rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe para Knessetit, parlamentit të Izraelit, në Jerusalem. „The Times of Israel“ raportoi se protestuesit bllokuan për një kohë të shkurtër edhe autostradën kryesore në Tel Aviv.

Kritikët akuzojnë Netanyahun dhe koalicionin e tij se nuk kanë marrë përgjegjësi personale për dështimet politike dhe ushtarake që i paraprinë sulmit.

Përvjetori shënohet gjithashtu në kohën e fazës përfundimtare të fushatës zgjedhore në Izrael. Zgjedhësit pritet të zgjedhin parlamentin e ri pas tre javësh, në zgjedhjet e para parlamentare që nga sulmet terroriste të 7 tetorit.

Anketat e opinionit publik tregojnë se as kampi i Netanjahut dhe as kundërshtarët e tij nuk janë në rrugën për të siguruar shumicën absolute.

Rreth 251 persona u morën peng dhe u dërguan në Rripin e Gazës gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit 2023. Sipas të dhënave izraelite, rreth 6.000 militantë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura hynë në Izrael atë ditë.

Në luftën që pasoi sulmin, më shumë se 74.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi. Të dhënat e tyre nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Armata izraelite kumtoi se gjatë tre viteve të fundit ka goditur rreth 100.000 objektiva në të gjithë rajonin, raportoi radioja izraelite. Shifra përfshin 65.000 objektiva në Rripin e Gazës, 28.000 në Liban dhe Siri dhe 4.500 në Iran. Armata izraelite gjithashtu kumtoi se 970 ushtarë izraelitë kanë humbur jetën gjatë detyrës në tre vitet e fundit.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR