Irani ka filluar një valë të sulmeve ndaj Izraelit, paralajmëroi sulme edhe në bazat amerikane në Lindjen e Mesme
- Irani ka nisur valën e pestë të sulmeve ajrore ndaj Izraelit, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve IRNA.

Teheran, 14 qershor 2025 (MIA) - Irani ka nisur valën e pestë të sulmeve ajrore ndaj Izraelit, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve IRNA.
Shënjestrat e sulmit janë lokacione në Tiverias, Rrafshnalta e Golanit dhe Galilea e Poshtme. Në këto zona është lëshuar një alarm për sulme ajrore dhe po dëgjohen shpërthime të fuqishme.
Janë raportuar gjithashtu edhe sulme në Tel Aviv dhe në vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor.
Ushtria izraelite konfirmoi një sulm të ri ajror iranian dhe tha se popullsisë i ishte urdhëruar të strehohej.
Forcat ajrore izraelite thanë gjithashtu se kishin shkatërruar "dhjetëra raketa" të qëlluara nga Irani.
Sipas agjencisë iraniane së lajmeve Fars dhe burimeve të larta ushtarake, sulmet ndaj Izraelit do të vazhdojnë, objektivat e Teheranit do të përfshijnë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
"Kjo përballje nuk do të përfundojë me veprimet e kufizuara të natës së kaluar dhe sulmet iraniane do të vazhdojnë. Këto veprime do të jenë shumë të dhimbshme dhe për fat të keq - me pasoja të rënda për agresorët. Lufta që regjimi sionist ka nisur me agresion do të përhapet në ditët në vijim në të gjitha territoret e pushtuara nga ky regjim dhe bazat amerikane në rajon, ndërsa agresori do të bëhet shënjestër e një sulmi vendimtar dhe të madh nga Irani", njoftoi ushtria iraniane.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit tha se "nuk është marrë asnjë vendim" për të anuluar raundin e ardhshëm të bisedimeve mbi programin bërthamor të vendit me SHBA-në, por prania e një përfaqësuesi iranian "nuk është e sigurt". Takimi është planifikuar për nesër në Oman. mb/
Foto: EPA