Irani e kërcënon SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën me sulme ndaj bazave dhe anijeve të tyre ushtarake nëse e ndihmojnë Izraelin
- Irani i ka paralajmëruar SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën se bazat dhe anijet e tyre ushtarake në rajon mund të jenë në shënjestër nëse të trija vendet e ndihmojnë Izraelin në konfliktin e tij me Teheranin, raportuan mediat iraniane.

Teheran, 14 qershor 2025 (MIA) - Irani i ka paralajmëruar SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën se bazat dhe anijet e tyre ushtarake në rajon mund të jenë në shënjestër nëse të trija vendet e ndihmojnë Izraelin në konfliktin e tij me Teheranin, raportuan mediat iraniane.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars të Iranit dhe burimeve të larta ushtarake, sulmet ndaj Izraelit do të vazhdojnë dhe objektivat e Teheranit do të përfshijnë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
"Kjo përballje nuk do të përfundojë me aksionet e kufizuara të natës së kaluar dhe sulmet iraniane do të vazhdojnë. Këto aksione do të jenë shumë të dhimbshme dhe për fat të keq - me pasoja të rënda për agresorët. Lufta që regjimi sionist ka nisur me agresion do të përhapet në ditët në vijim në të gjitha territoret e pushtuara nga ky regjim dhe bazat amerikane në rajon, ndërsa agresori do të bëhet shënjestër e një sulmi vendimtar dhe të madh nga Irani", njoftoi ushtria iraniane.
Ndërkohë, Dmitrij Gendelman, këshilltari i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, deklaroi se Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) do të zgjerojnë fushëveprimin e operacionit të tyre ushtarak kundër programit bërthamor të Iranit.
"IDF e zgjeron operacionin e madh në territorin iranian kundër programit të tij bërthamor dhe në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm të regjimit (iranian). Dhjetëra vende kyçe janë goditur, duke përfshirë lançues raketash balistike, baza ushtarake dhe infrastrukturë strategjike, bazuar në informacione të sakta të inteligjencës", njoftoi Gendelman në aplikacionin Telegram. mb/
Foto: MIA