• e shtunë, 12 korrik 2025

Irani dhe Izraeli vazhdojnë me sulme të ndërsjella, nuk ka shenja për depërshkallëzim

Irani dhe Izraeli vazhdojnë me sulme të ndërsjella, nuk ka shenja për depërshkallëzim

Tel Aviv/Teheran, 15 qershor 2025 (MIA) - Tensionet midis Izraelit dhe Iranit mbeten të larta në ditën e dytë të konfliktit të hapur, pa shenja të depërshkallëzim, raporton DPA.

Sipas ushtrisë izraelite, mbrëmjen e kaluar Izraeli u shënjestrua nga një seri sulmesh me raketa dhe dronë nga Irani. Të paktën tre persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi  se shumica e raketave iraniane të lëshuara gjatë natës janë kapur, por disa prej tyre goditën objektiva, përfshirë Izraelin qendror dhe Tel Avivin, ku disa ndërtesa u dëmtuan rëndë.

Disa media raportojnë se forcat amerikane të vendosura në rajon po ndihmojnë Izraelin në operacionet e mbrojtjes nga raketat, megjithëse ende nuk ka pasur konfirmim zyrtar për këtë.

Izraeli paralajmëroi se pavarësisht sulmeve hakmarrëse iraniane, do të vazhdojë të shënjestrojë pozicione në Iran.

Sulmet e Iranit gjatë natës janë në hakmarrje për një sulm të madh izraelit të kryer të enjten, duke synuar objektet bërthamore të vendit dhe udhëheqësit ushtarakë.

Në sulmet izraelite jranë vrarë të paktën 78 persona, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, ndërsa janë plagosur më shumë se 320 - shumica prej tyre civilë, deklaroi ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani.

Ushtria iraniane njoftoi se kishte rrëzuar dronë izraelitë pranë kufirit të saj veriperëndimor me Azerbajxhanin dhe Turqinë.

Gjatë natës, disa qytete iraniane u bombarduan rëndë. Në Teheranin qendror dhe verilindor, shpërthime dhe zjarr i vazhdueshëm kundërajror u dëgjuan për orë të tëra, raportuan mediat lokale.

Sulmet izraelite shënjestruan gjithashtu një hangar aeroplanësh luftarakë në aeroportin Mehrabad në Teheran, si dhe sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore.

Sulmet izraelite kanë vënë në pikëpyetje bisedimet e mëtejshme midis SHBA-së dhe Iranit mbi marrëveshjen bërthamore që ishin planifikuar të zhvilloheshin nesër në Oman. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit i përshkroi bisedimet si "të pakuptimta", por nuk tha drejtpërdrejt se ato ishin anuluar.

Agjencia iraniane e lajmeve Mizan citoi një zëdhënës duke thënë se "ende nuk është marrë asnjë vendim lidhur me bisedimet e së dielës".

Pas përshkallëzimit të armiqësive midis Izraelit dhe Iranit, vendet në rajon dënuan sulmin izraelit, ndërsa udhëheqës nga e gjithë bota bënë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive nga të dyja palët. mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR