Iraku hap tre vendkalime kufitare me Iranin
- Autoritetet irakiane paralajmëruan hapjen graduale të tre vendkalimeve kufitare me Iranin, të cilat u mbyllën një ditë më parë pas një sulmi ndaj një naftësjellësi saudit të kryer nga territori irakian.
Bagdad, 13 shtator 2026 (MIA) - Autoritetet irakiane paralajmëruan hapjen graduale të tre vendkalimeve kufitare me Iranin, të cilat u mbyllën një ditë më parë pas një sulmi ndaj një naftësjellësi saudit të kryer nga territori irakian.
Pas kryerjes së një inspektimi të punës së tyre, vendkalimet do të hapen për trafikun e pasagjerëve dhe mallrave sipas një orari nga e diela deri të enjten, njoftoi shërbimi qeveritar i sigurisë.
Dje Bagdadi e shkarkoi komandantin ushtarak të provincës Majsan, pasi u përcaktua se dronët ishin nisur nga ajo zonë, dhe mbylli vendkalimet me qëllim riorganizimin e aktiviteteve operative. Autoritetet theksojnë se kanë rritur edhe aktivitetet e inteligjencës për të identifikuar mungesat e mundshme të sigurisë. Vendkalimet e prekura ndodhen në provincat Basra, Majsan dhe Dijala.
Tani për tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj naftësjellësit saudit të enjten. Grupet e armatosura irakiane pranë Iranit, të cilat Riadi i ka akuzuar për sulme ndaj infrastrukturës saudite të naftës në të kaluarën, kanë mohuar çdo përfshirje.
Këto formacione, të cilat u shfaqën në vitet pas pushtimit amerikan të Irakut, janë aleatë të Iranit brenda të ashtuquajturit "Boshti i Rezistencës", së bashku me Hezbollahun e Libanit, lëvizjen palestineze Hamas dhe Huthët e Jemenit.
Foto: Arkvi