Haradinaj: Kurti po e çon Kosovën përsëri në zgjedhje
- Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për, siç tha ai, për mospërkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj. Ai e ka fajësuar Kurtin se qëllimshëm po e lë në gjysmë miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.
- Post By Fami Bajrami
- 20:55, 6 tetor, 2026
Prishtinë, 6 tetor 2026 (MIA)- Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për, siç tha ai, për mospërkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj. Ai e ka fajësuar Kurtin se qëllimshëm po e lë në gjysmë miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen.
Haradinaj ka theksuar se synimi i Kurtit janë zgjedhjet e reja.
“Është shumë e pandershme që të lihet në gjysmë ky ligj duke ditur rëndësinë e tij dhe momentin kritik për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së. Është koha të bashkohemi dhe të mos turpërohemi para historisë. Sot ranë maskat, Kurti e kurthoj edhe ligjin edhe vendin, pra e futi në kurth. Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke lënë në gjysmë ligjin në momentin më kritik dhe Kurti po e çon vendin në zgjedhje. Kurti që tri herë para kësaj here i fitoi zgjedhjet dhe prapë e çoi vendin në zgjedhje. Kjo është hera e katërt që po e çon në zgjedhje. Sa herë që e ka çu vendin në zgjedhje e ka lënë qytetarin pa zgjidhjet e nevojshme”, ka thënë ai në konferencë për media, transmeton Koha.net.
Sipas Haradinajt, Kurti qëllimisht ka shtyrë afatet kushtetuese për konstituimin e institucioneve.
“Ky po punon që ta zhbëjë Kosovën. Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik”, ka thënë ai.