• e mërkurë, 25 shtator 2024

Guteresh: Të drejtat e grave nuk janë luks që mund të presë

Guteresh: Të drejtat e grave nuk janë luks që mund të presë

Nju-Jork, 6 mars 2023 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutereshi, sot deklaroi  se të drejtat e grave nuk janë luks që mund të presin derisa të zgjidhen krizat në botë  dhe deklaroi se çdo dhjetë minuta një grua apo një vajzë vritet nga një anëtar i familjes ose partneri, dhe se çdo dy minuta një grua vdes gjatë shtatzënisë ose lindjes.

Gutereshi, në një tekst autorial me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, vlerësoi se progresi i arritur në aspektin e të drejtave të grave  dalëngadalë po zhduket para syve tanë, ndërsa parashikimet e fundit vlerësojnë se nëse ky ritëm vazhdon, do tënevojite edhe 300 vjet që të arrihet barazia e plotë gjinore. 

"Duhet t'i ndryshojmë këto trende të tmerrshme dhe të angazhohemi për jetët dhe të drejtat e grave dhe vajzave, kudo. Ky është një nga prioritetet e mia kryesore dhe një shtyllë e punës së Kombeve të Bashkuara në mbarë botën. Nga Sudani i Jugut deri në Mianmar, i mbështesim gratë dhe vajzat në krizë me atë që do të kujdesemi që zëri i tyre të dëgjohet në proceset e paqes”, ka shkruar Gutereshi.

 Ai vlerësoi edhe se krizat e sotme, që pasojnë njëra pas tjetrës, nga lufta në Ukrainë e deri gjendja e jashtëzakonshme klimatike, fillimisht dhe më rëndë i  godasin  gratë dhe vajzat.

 Këtë vit, shtoi ai, Dita Ndërkombëtare e Gruas është e fokusuar në mbylljen e hendekut gjinor në shkencë, teknologji dhe inovacione.

Në nivel global, qasja dhe përdorimi i internetit është për 21 për qind më shumë gjasa te burrat sesa te gratë, ndërsa në vendet me të ardhura të ulëta dallimi është mbi 50 për qind, theksohet në tekst.

 Ai theksoi se edhe vendet më të pasura janë në humbje për shkak të stereotipeve gjinore dhe njëanshmërisë historike. Për shembull, në industrinë e teknologjisë, burrat dyfish i tejkalojnë gratë, ndërsa në fushën e inteligjencës artificiale, raporti është pesë me një.

Diskriminimi ndaj grave në shkencë dhe teknologji është pasojë e patriarkalizmit shekullor, diskriminimit dhe stereotipeve të dëmshme, vlerësoi Gutereshi dhe shtoi se gratë përbëjnë vetëm tre për qind të fituesve të Çmimit Nobel në kategoritë shkencore nga viti 1901 deri më sot, ndërsa gratë në Internet - duke përfshirë shkencëtarët dhe gazetarët - shpesh janë shënjestër e gjuhës seksiste të urrejtjes dhe abuzimit me qëllim që t'i heshtin  dhe t'i turpërojnë.

Duhet të thyejmë barrierat - nga të dhënat diskriminuese te stereotipet që i pengojnë vajzat të studiojnë shkenca natyrore në moshë të hershme”, tha Gutereshi.

Investimi tek gratë dhe vajzat është mënyra më e sigurt që të ngrihen lart të gjithë njerëzit, komunitetet dhe vendet dhe të arrihen qëllimet e Agjendës  për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030. ar/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR