• e mërkurë, 28 gusht 2024

Gjykata franceze i vazhdoi paraburgimin themeluesit të Telegramit, Pavel Durov

Gjykata franceze i vazhdoi paraburgimin themeluesit të Telegramit, Pavel Durov

 Paris, 26 gusht 2024 (MIA) - Gjykata franceze i vazhdoi paraburgimin themeluesit të Telegramit, Pavel Durov, i cili të shtunën ishte arrestuar në aeroportin e Parisit për shkak të shkeljeve të pretenduara në lidhje me aplikacionin Telegram.

 Gjykatësi hetimor i cili e udhëheq rastin i vazhdoi paraburgimin Durovit (39), ndërsa ajo mundë të zgjasë më shumë 96 orë, deklaroi një burim i afërt, ndërsa raporton Gardiani. Kur të mbarojë faza e paraburgimit, gjykatësi mundë të vendosë ta lirojë Durovin ose të bëjë padi dhe të urdhërojë paraburgim të mëtejshëm.

 Durov ishte arrestuar të shtunë në aeroportin Burzhe në Paris, menjëherë pasi zbriti nga aeroplani privat me të cilin fluturoi nga Azerbajxhani. Siç u njoftua më herët, ai u arrestua pas urdhërit në lidhje me shkeljet nga aplikacioni popullor për mesazhe. 

 Kompania Telegram mbrëmë njoftoi se themeluesi i tij dhe drejtori ekzekutiv Pavel Durov "nuk ka çfarë të fshehë". 

 "Aplikacioni Telegram është në përputhje me ligjet evropiane, përfshirë edhe Rregulloren për shërbime digjitale, moderimin e tij dhe standardet industriale", njoftoi kompania me seli në Dubai. 

 "Durov nuk ka asgjë për të fshehur dhe shpesh udhëton në Evropë. Është absurde të thuhet se platforma digjitale ose themeluesi i saj është përgjegjëse për çdo keqëpërdorim", shtoi Telegram. 

 Ambasada ruse në Paris kërkoi nga autoritetet franceze që t'i sqarojë arsyet për arrestimin e Durovit, duke shtuar se ata deri tani kanë refuzuar të bashkëpunojnë pas kësaj çështje, raportojnë mediat ruse. 

 Durov u largua nga Rusia në vitin 2014, pasi refuzoi që t'i përmbushë kërkesat e Kremlinit për të mbyllur grupet opozitare në rrjetin social VK që ai themeloi kur ishte 22 vjeç.

 Ai u largua nga VK pas një mosmarrëveshjeje me pronarët dhe u fokusua në Telegram, aplikacion që ai themeloi me vëllain e tij Nikolain në vitin 2013.

 Aplikacioni Telegram sot ka 950 milion shfrytëzues aktiv dhe është burim kryesor i informacioneve për luftën në Ukrainë, thekson Gardiani. qa/

Foto: Skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR