• e enjte, 15 tetor 2026

Gjykata e Lartë e shfuqizoi aktvendimin e Apelit me dënime më të larta për rastin"Llaskarcë"

Gjykata e Lartë e shfuqizoi aktvendimin e Apelit me dënime më të larta për rastin

Shkup, 10 shtator 2026 (MIA) - Gjykata e Lartë e shfuqizoi aktvendimin e Gjykatës së Apelit Shkup për aksidentin e autobusit të Llaskarcës, me të cilin ishin rritur dënimet për një pjesë të të akuzuarve, dhe lëndën e ktheu për rigjykim dhe vendimmarrje të përsëritur.

Siç njoftoi Gjykata e Lartë, Këshilli për çështje penale, në seancën e mbajtur më 9 shtator, vendosi për lëndën KSHJ2-86/25, e njohur në opinion si lënda për aksidentin e autobusit në fshatin Llaskarcë.

Bëhet fjalë për aktvendimin me të cilin Gjykata e Apelit në maj të vitit 2025 i rriti dënimet për një pjesë të të akuzuarve në këtë rast. Pronarit të "Durmo Turs", Durmish Belulit, dhe përgjegjësit për transport në kompani, Remzi Miftarit, dënimet iu rritën nga gjashtë në nga 10 vjet burg, ndërsa punonjësve të stacionit për kontroll teknik, Igor Gjorgievskit dhe Goran Dukovskit, nga pesë në nga shtatë vjet burg. Dënimet për Jane Bovaro­vskin dhe shoferin e autobusit Manoil Trifunovskin mbetën përkatësisht pesë dhe 14 vjet burg.

Në aktvendimin e shkallës së parë, të miratuar në janar të vitit 2024, të gjashtë të akuzuarit u shpallën fajtorë për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.

Tragjedia në Llaskarcë ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, kur një autobus i "Durmo Turs" doli nga autostrada Shkup-Tetovë. Në aksident humbën jetën 16 persona, ndërsa më shumë se 30 të tjerë u lënduan. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR