Gjorgjievski për 11 Tetorin: Sfidat t'i presim të bashkuar, me vendosmëri dhe besim
- Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, me rastin e 11 Tetorit - Ditës së Kryengritjes Popullore, tha se kjo datë simbolizon krenarinë e popullit të Maqedonisë dhe sakrificën që u bë për liri dhe shtetësi.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 17:17, 11 tetor, 2026
Shkup, 11 tetor 2026 (MIA) - Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, me rastin e 11 Tetorit - Ditës së Kryengritjes Popullore, tha se kjo datë simbolizon krenarinë e popullit të Maqedonisë dhe sakrificën që u bë për liri dhe shtetësi.
"Njëmbëdhjetë tetori është dita kur me krenari përulemi para guximit të atyre që u ngritën kundër fashizmit, të vendosur të luftojnë për një Maqedoni të lirë", thekson Gjorgjievski në mesazhin e urimit të publikuar në rrjetet sociale.
Ai thekson se paraardhësit kishin guximin të qëndronin në anën e drejtë të historisë dhe besonin në lirinë dhe të drejtën e popullit të Maqedonisë për të pasur shtetin e vet.
"Për atë ideal dhanë jetën e tyre, duke na lënë një amanet për të mbrojtur atdheun dhe për të vazhduar ta ndërtojmë", thekson kryetari i Shkupit.
Sipas tij, respekti për punën e tyre tregohet sot përmes përgjegjësisë ndaj të tashmes dhe përkushtimit për një jetë më të mirë për qytetarët.
"Me çdo vepër të ndershme, me çdo vendim të guximshëm dhe me çdo hap drejt një jete më të mirë për qytetarët tanë, japim kontributin tonë në historinë e madhe të Maqedonisë", thotë Gjorgjievski.
Ai thekson se sfidat duhen kapërcyer me unitet dhe një vizion të përbashkët.
"Sfida ka pasur dhe do të ketë. T'i presim të bashkuar, me vendosmëri dhe me besim në atë që mund të arrijmë së bashku", porosit Gjorgjievski.
Në urim, kryetari i Shkupit thekson se brezat e ardhshëm duhet ta dinë të vërtetën për luftën dhe sakrificën e paraardhësve, por edhe të trashëgojnë një shtet në të cilin do të jetojnë me dinjitet dhe krenari.
Foto: Arkivi i MIA-s