Francë: Qindra shkolla të mbyllura për shkak të protestave të nxënësve, qeveria i hodhi poshtë kërkesat për buxhet më të madh
- Qindra shkolla në Francë edhe sot mbetën të mbyllura për shkak të protestave disaditore të nxënësve, të cilat po shkaktojnë frikë për trazirat më të gjera sociale në vend, vetëm shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale, transmeton DPA.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:22, 8 tetor, 2026
Paris, 8 tetor 2026 (MIA) - Qindra shkolla në Francë edhe sot mbetën të mbyllura për shkak të protestave disaditore të nxënësve, të cilat po shkaktojnë frikë për trazirat më të gjera sociale në vend, vetëm shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale, transmeton DPA.
Nxënësit francezë protestojnë për shkak të kushteve të këqija për mësim, mungesës së mësuesve zëvendësues, ndërtesave të amortizuara të shkollave dhe orareve të mbingarkuara.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Arsimit, sot 224 shkolla janë mbyllur plotësisht, ndrësa 151 pjesërisht, që është rreth 30 për qind më pak shkolla të prekura krahasuar me një ditë më parë.
Qeveria po has vështirësi t’i vërë trazirat nën kontroll, ndërsa sindikatat e arsimit kanë bërë thirrje për protesta të tjera masive, pas ditës kombëtare të protestës në të cilën sindikatat u bashkuan për herë të parë. Më herët janë shënuar edhe bllokada të izoluara në shkollat e mesme dhe universitetet franceze, ndër të cilat edhe në institucionin prestigjioz të arsimit të lartë në Paris, "Sians Po".
Në një fjalim televiziv, kryeministri Sebastian Lekornu u premtoi nxënësve protestues kushte më të mira për mësim, por hodhi poshtë mundësinë e përmbushjes së kërkesës së tyre për rritje të konsiderueshme të fondeve për arsim.
Protestat tërhoqën vëmendje të madhe për shkak të përleshjeve të përsëritura me policinë dhe shpërthimit të dhunës në margjinat e demonstratave, ku u arrestuan mijëra të rinj. Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Loran Nunjez njoftoi se policia do ta ndërpresë përdorimin e granatave trullosëse gjatë protestave të studentëve dhe nxënësve. qa/
Foto: EPA