• e hënë, 17 nëntor 2025

Fetai: Duke kërkuar një dënim më të lartë, ne nuk po kërkojmë hakmarrje, po kërkojmë drejtësi që do të parandalojë tragjeditë e ardhshme

Fetai: Duke kërkuar një dënim më të lartë, ne nuk po kërkojmë hakmarrje, po kërkojmë drejtësi që do të parandalojë tragjeditë e ardhshme

Shkup, 6 tetor 2025 (MIA) - Duke kërkuar një dënim më të lartë, ne nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë drejtësi që do të parandalojë tragjeditë e ardhshme, ne kërkojmë drejtësi që do të dërgojë një mesazh të qartë dhe të fuqishëm se jeta njerëzore është e paprekshme, thotë prokurorja publike Fatime Fetai.

Qëndrimi i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, theksoi Fetai në një deklaratë për mediat pas seancës së sotme publike para Gjykatës së Apelit të Shkupit, është se ankesa e Prokurorisë duhet të pranohet, ndërsa ankesa e mbrojtjes duhet të refuzohet si e pabazuar.

"Aktgjykimi i shkallës së parë me të cilin i pandehuri Vasil Jovanov u shpall fajtor për veprën penale duhet të ndryshohet, në mënyrë që i njëjti të dënohet me një dënim më të lartë me burg. Siç e dini, maksimumi për këtë vepër penale është 20 vjet burg", thotë Fetai.

Dilema kryesore, në fakt, siç theksoi Fetai dhe argumenti kryesor i mbrojtjes, është se ky është vërtet dënimi më i lartë i dhënë ndonjëherë për këtë lloj vepër penale.

"Megjithatë, praktika gjyqësore  kryesisht nuk është një burim formal i së drejtës, por çdo lëndë penale është e veçantë dhe duhet të vlerësohen të gjitha rrethanat e lëndës, që lidhen me atë lënde, por edhe që lidhen me personalitetin e autorit të veprës penale. Të gjitha rrethanat nga neni 39 i Kodit Penal, që janë në anën e të pandehurit, tregojnë domosdoshmërinë e dënimit të tij me një dënim më të lartë me burg", deklaroi Fetai.

Sa i përket praktikës gjyqësore, sipas Fetait, dënimi me burg nuk është vetëm një numër, por një qëndrim, dhe pasqyron se cilat vlera ne mbrojmë në të vërtetë.

 

Babai i Frosina Kulakovës, në një deklaratë për mediat pas seancës së sotme publike, tha se praktika gjyqësore duhet të korrigjohet dhe duhet të vendoset drejtësia dhe përfundimisht të marrë fund praktika famëkeqe e dënimeve minimale për krimet dhe vrasjet më të rënda në trafik.

"Si është e mundur që në një vend ku njerëzit vdesin në rrugë çdo ditë, të mos ketë asnjë rast me dënim maksimal. Kjo nuk është rastësi, është korrupsioni që ka gërryer drejtësinë. Pikërisht kjo ndodhi në rastin tonë. Gjykata e Apelit duhet të korrigjojë këtë krim të rëndë dhe paligjshmëri. Ky rast duhet të jetë një pikë kthese, për të rivendosur fuqinë e ligjit dhe drejtësinë për viktimat", tha Kulakov.

Kulakov, gjithashtu, paralajmëroi se si familje do të ngrenë padi penale kundër gjyqtareve Daniela Aleksovska dhe Snezhana Markovska, si dhe një parashtresë drejtuar Këshillit Gjyqësor për shkarkimin e tyre.

Gjykata Themelore Penale në Shkup më 13 maj të këtij viti e dënoi Vasil Jovanovin me 12 vjet burg, në bazë të pranimit të fajit veprën penale “vepra rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” për shkeljen e Frosina Kulakovës në janar në bulevardin "Aradhat partizane" në Shkup. ls/

Foto: MIA

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR