EUSAIR: Bashkëpunimi rajonal mbetet faktor kyç për forcimin e stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor
- Bashkëpunimi rajonal mbetet instrument strategjik për forcimin e stabilitetit, ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, porositën pjesëmarrësit në Forumin e 11-të të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR - SBERAJ), që po mbahet në Shkup. Siç u theksua në konferencën përmbyllëse për media, kjo është një kohë e shkëlqyer për të folur për hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE, për procesin e anëtarësimit me hapjen, e në disa raste edhe me mbylljen e klasterëve të rëndësishëm, të cilët do të mund të dëshmojnë se përkushtimi i vërtetë i vendeve të rajonit ka për qëllim jo vetëm vazhdimin e bashkëpunimit me BE-në, por edhe të bëhen anëtare të saj me të drejta të plota.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 07:35, 20 maj, 2026
Shkup, 20 maj 2026 (MIA) – Bashkëpunimi rajonal mbetet instrument strategjik për forcimin e stabilitetit, ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, porositën pjesëmarrësit në Forumin e 11-të të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR - SBERAJ), që po mbahet në Shkup. Siç u theksua në konferencën përmbyllëse për media, kjo është një kohë e shkëlqyer për të folur për hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE, për procesin e anëtarësimit me hapjen, e në disa raste edhe me mbylljen e klasterëve të rëndësishëm, të cilët do të mund të dëshmojnë se përkushtimi i vërtetë i vendeve të rajonit ka për qëllim jo vetëm vazhdimin e bashkëpunimit me BE-në, por edhe të bëhen anëtare të saj me të drejta të plota.
Në kuadër të Forumit u mbajt edhe Takimi Ministror i Këshillit Adriatiko-Jonian/EUSAIR, në të cilin u miratua e ashtuquajtura Deklarata e Shkupit – dokument politik që përcakton prioritetet kyçe për të ardhmen e rajonit: përshpejtimin e zgjerimit, integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, zbatimin e Planit të rishikuar të Veprimit, përmirësimin e bashkëpunimit makro-rajonal, si dhe zhvillimin rajonal – përballjen me sfidat demografike, mbajtjen e të rinjve dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar.

"Diskutimet konfirmuan se bashkëpunimi rajonal mbetet instrument strategjik për forcimin e stabilitetit, ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Me miratimin e Deklaratës së Shkupit, vendet pjesëmarrëse riafirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim më të fuqishëm, integrim gradual dhe proces të besueshëm të zgjerimit, të bazuar në reforma dhe vlera të përbashkëta evropiane. Si kryesuese, Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në forcimin e rolit të EUSAIR si platformë e rëndësishme për bashkëpunim rajonal dhe konvergjencë evropiane, theksoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane", Bekim Sali.
Sipas ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, kryesimi maqedonas me EUSAIR përfundon me dërgimin e mesazhit se bashkëpunimi rajonal sjell rezultate konkrete, ndërsa e ardhmja evropiane e rajonit është e arritshme. Miratimi i Deklaratës së Shkupit, shtoi ai, dërgon sinjal të fuqishëm politik, e konfirmon politikën e zgjerimit si investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet, duke theksuar njëkohësisht nevojën për proces të besueshëm të anëtarësimit, të bazuar në merita, i shoqëruar me reforma thelbësore dhe harmonizim me standardet më të larta evropiane.
"Me përfundimin e kryesimit, mund të konstatojmë me kënaqësi se ky ishte një vit me rezultate konkrete, e jo vetëm me dialog politik. Gjatë vitit të kaluar, nën moton “Për forcimin e unitetit rajonal, avancimin e së ardhmes evropiane”, kryesimi ynë ishte i orientuar drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal si shtytës i integrimit evropian. Theks të veçantë vendosëm në afrimin ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerëve që ende janë në rrugën drejt anëtarësimit, me mbështetje të fuqishme nga vendet aktuale anëtare të Bashkimit Evropian", potencoi Mucunski.
Gjatë kryesimit, shtoi ai, u arrit edhe përparim i konsiderueshëm në avancimin e ndërlidhjes rajonale, përmes iniciativave të orientuara drejt tejkalimit të dallimeve infrastrukturore.

" U intensifikua bashkëpunimi në transport, energjetikë dhe ndërlidhje digjitale, me qëllim të krijimit të mundësive të reja për qytetarët, por edhe për bizneset në rajon. Paralelisht, angazhimet tona ishin në drejtim të vazhdimit dhe thellimit të aktiviteteve në kuadër të strategjisë, me qëllim që ajo të marrë karakter më ambicioz dhe më të avancuar, të orientuar drejt transformimit digjital, ekonomisë qarkulluese dhe përgatitjes së rajonit për sfidat e ardhshme. Vëmendje të veçantë i kushtuam edhe përfshirjes dhe qeverisjes në më shumë nivele, përmes forcimit të rolit të shoqërisë civile, komunitetit akademik, të rinjve dhe aktorëve lokalë, ndërsa veçanërisht përmes zhvillimit të mëtejmë të Këshillit Rinor të EUSAIR, e afruam bashkëpunimin rajonal më pranë qytetarëve," tha Mucunski.
Ai vlerësoi gjithashtu se, në një kontekst vërtet të ndërlikuar gjeopolitik, iniciativa dhe strategjia Adriatiko-Joniane edhe një herë e konfirmuan vlerën e tyre si platforma për dialog politik, koordinim, por edhe si platforma për ndërtimin e besimit.
"Deklarata e Shkupit e riafirmon përkushtimin tonë të përbashkët ndaj të drejtës ndërkombëtare, vlerave evropiane dhe përgjigjes së përbashkët ndaj sfidave rajonale, por edhe globale. Kryesimi tani i kalon Italisë për periudhën 2026–2027. Jemi të bindur se Italia do të vazhdojë ta forcojë dinamikën e bashkëpunimit dhe do ta fuqizojë më tej partneritetin Adriatiko-Jonian. Ne si shtet dhe si Qeveri mbetemi plotësisht të përkushtuar në mbështetjen e këtij procesi dhe të ardhmes së përbashkët evropiane të rajonit", nënvizoi Timço Mucunski.
Ministri italian për Politika Evropiane dhe Kohezion, Tommaso Foti, përveç bashkëpunimit rajonal, vuri theks edhe te zgjerimi i BE-së. Për Deklaratën e Shkupit ai tha se nuk është një dokument i zakonshëm që nënshkruhet në fund të një takimi, por është drejtim për punën e ardhshme që Italia do ta vazhdojë, e bazuar në pesë shtyllat kryesore.

"Këto janë kohë të shkëlqyera për të folur për hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE. Ne mendojmë se nuk duhet të flasim vetëm për negociata para-anëtarësuese, por duhet të fillojmë të flasim për proces anëtarësimi me hapjen, e në disa raste edhe me mbylljen e klasterëve të rëndësishëm, të cilët do të mund të dëshmojnë se angazhimi i vërtetë i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka për qëllim jo vetëm të vazhdojnë të bashkëpunojnë me BE-në, por edhe të bëhen anëtare të saj me të drejta të plota. Këtu nuk flasim vetëm për faktin që BE-ja duhet të shtojë një pjesë të rajonit gjeografik brenda kufijve të saj. Ballkani Perëndimor është pjesë e rëndësishme e Evropës, e asaj Evrope që mendojmë se duhet të ribashkohet, Evropës për të cilën për herë të parë pas vitit 1945 jemi dëshmitarë të një pushtimi. Sado që kjo të mos na pëlqejë, Rusia kreu pushtim ndaj një pjese të asaj që janë vlerat evropiane dhe ne mendojmë se ato vlera duhet të përforcohen", theksoi ministri.
Sipas tij, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është vetëm anëtarësim i vendeve nga aspekti ekonomik, por është edhe bashkim politik, social dhe kulturor i asaj që quhet identitet evropian. Strategjia italiane, si kryesuese e ardhshme e EUSAIR-it, do të jetë e përkushtuar në mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të këtij makrorajoni.
Në konferencën për media ai u ndal edhe te ndërlidhshmëria, digjitalizimi, infrastruktura, demografia, por edhe te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilave, siç tha, duhet t’u kushtohet më shumë vëmendje.
"Duhet sa më mirë të jetë e mundur t’i ndërlidhim vendet që përbëjnë pjesë të rëndësishme të territorit evropian. Çështja e demografisë është e përbashkët dhe shumë aktuale. Flasim për emigrim të madh nga Ballkani Perëndimor drejt pjesëve të tjera të BE-së, gjë që ndoshta vjen si pasojë e pamundësisë për të gjetur zgjidhjet më të përshtatshme dhe të kënaqshme në territorin e tyre. Ikja e trurit i prek të gjitha vendet evropiane, përfshirë këtu edhe Italinë. Ky është një fenomen të cilit duhet t’i japim përgjigje adekuate, përgjigje që do t’u përshtatet të gjithëve, jo duke ua ndaluar njerëzve zgjedhjen e lirë, por që ajo zgjedhje të mos jetë e imponuar nga kufizime shoqërore, ekonomike apo të tjera, por të jetë zgjedhje e vetëdijshme," theksoi ministri.
Hugo Sobrall, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikë Rajonale dhe Urbane të Komisionit Europian, shprehu shpresën se presidenca italiane do të vazhdojë forcimin e perspektivave të përbashkëta të Ballkanit Perëndimor dhe ndërtimin e kohezionit të përgjithshëm territorial në rajon.

Me Deklaratën finale rikonfirmohet edhe një herë rëndësia e strategjisë makrorajonale për rajonin e Adriatikut dhe të Jonit. Ne i mbështesim vendet në bashkëpunimin e tyre, në krijimin e një vizioni të përbashkët për rajonin dhe në qasjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballen. Në një mjedis ku ka më shumë vende kandidate sesa vende anëtare, prioritet i rëndësishëm është zgjerimi dhe më gëzon fakti që kjo, si dhe perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor, janë një nga prioritetet e kësaj strategjie, e cila paraqet një lloj laboratori para-anëtarësues ku praktikat dhe miratimi i politikave dhe standardeve të BE-së tashmë mund të fillojnë.
Maqedonia e Veriut e mori kryesimin e EUSAIR-it vitin e kaluar në maj nga Greqia, ndërsa kryesuesja e ardhshme është Italia.
Foto/video: MIA