• e enjte, 15 tetor 2026

Erdogani: Anëtarësimi i Turqisë në OBSh nuk do të thotë t'i kthejë shpinën Perëndimit

Erdogani: Anëtarësimi i Turqisë në OBSh nuk do të thotë t'i kthejë shpinën Perëndimit

 Ankara, 2 shtator 2026 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, sot deklaroi se perspektiva e anëtarësimit të Turqisë në Organizatën  për Bashkëpunim të Shangait (OBSh) nuk do të thotë kurrë t'i kthejë shpinën Perëndimit, duke theksuar se Ankaraja kërkon të rrisë ndikimin e saj global përmes një "vizioni 360 gradë".

"Qëllimi ynë është të rrisim peshën tonë me një vizion 360 gradë", deklaroi Erdogani në aeroplanin presidencial pas kthimit nga samiti i OBSh-së në Bishkek të Kirgistanit, në të cilin mori pjesë me ftesë të presidentit të vendit, Sadir Zhaparov, raporton Anadollu.

 Erdogani theksoi se Turqia dëshiron të ndjekë një politikë të jashtme të gjerë dhe të zhvillojë marrëdhënie me qendra të ndryshme të fuqisë.

 Duke folur për luftën në Ukrainë, Erdogani tha se si ai dhe presidenti rus Vladimir Putin duan që konflikti të përfundojë në mënyrë paqësore sa më shpejt të jetë e mundur, duke theksuar rëndësinë e sigurisë së trafikut detar civil në Detin e Zi, duke paralajmëruar se luftimet nuk duhet të arrijnë në një nivel ku civilët dhe aktivitetet tregtare do të rrezikoheshin.

 Erdogani, gjithashtu,  paralajmëroi se kërcënimi i një krize të drithërave po rishfaqet, veçanërisht në Afrikë, duke thënë se do të ishte e dobishme të nisej një iniciativë përpara se problemi të përhapet më tej.

Duke folur për çështjet e mbrojtjes, Erdogani tha se Turqia po vazhdon bisedimet me ShBA-në për ripërfshirjen në programin e aeroplanëve luftarakë F-35. 

 "Po vazhdojmë me diskutimet për ripërfshirjen e Turqisë në program. Kur të përfundojnë proceset në ShBA-në, kjo çështje do të jetë pas nesh", tha Erdogan, duke theksuar se Ankaraja nuk do të heqë dorë nga zhvillimi i kapaciteteve të veta mbrojtëse.

 Erdogan i bëri thirrje Greqisë të braktisë atë që e quajti "rruga e gabuar" dhe të ndalojë armatosjen e ishujve, të cilët kanë një status të demilitarizuar.

 "Historia është një udhërrëfyes shumë i mirë për ata që mësojnë prej saj", tha Erdogani, duke shtuar se Turqia nuk ka pretendime territoriale ndaj vendeve të tjera, por se nuk do të lejojë, siç tha, askënd të shkelë të drejtat e saj.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR