• e mërkurë, 07 tetor 2026

Dy persona u shpëtuan të gjallë nga një tunel i hidrocentralit, nëntë ditë pas përmbytjeve në Nepal

Dy persona u shpëtuan të gjallë nga një tunel i hidrocentralit, nëntë ditë pas përmbytjeve në Nepal

Katmandu, 4 shtator 2026 (MIA) - Dy persona janë shpëtuar të gjallë mëngjesin e sotëm nga një tunel i një hidrocentrali, nëntë ditë pas përmbytjeve katastrofike që goditën Nepalin, ndërsa më shumë se 4.000 persona ende konsiderohen të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit, me ndihmën e më shumë se 500 inxhinierëve, vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur.

Dy personat janë nxjerrë nga tuneli i hidrocentralit "Upper Trishuli 3A", deklaroi një anëtar i parlamentit të Nepalit.

Autoritetet shpresojnë se ka të mbijetuar mes rreth 900 personave që konsiderohen të zhdukur në gjashtë hidrocentrale, pasi ata u strehuan në tunele ose punonin në to gjatë përmbytjeve.

Më shumë se 500 inxhinierë dhe ekspertë të tjerë janë mbledhur në një grup në Uatsap për t’u ndihmuar ekipeve të shpëtimit në kërkimin e personave të zhdukur pas përmbytjeve katastrofike në luginën e lumit Trishuli. Në grup, ata shkëmbejnë planet e hidrocentraleve dhe tuneleve, si dhe informacione mbi strukturën dhe vendosjen e tyre, me qëllim që t’u ndihmojnë ekipeve të shpëtimit të gjejnë hyrjet e bllokuara dhe të përcaktojnë se ku mund të ndodhen të mbijetuarit.

Kërkimet janë vështirësuar nga fakti se përmbytja ndryshoi terrenin përreth tuneleve dhe brenda tyre solli sasi të mëdha balte, gurësh dhe materialesh të tjera. Përmbytja la rreth 2,2 milionë tonë mbetje në luginë, ndërsa në disa vende hyrjet e tuneleve u mbuluan plotësisht.

Në hidrocentralin "Rasuvagadi", ekipet e shpëtimit arritën të depërtonin 250 metra në tunel përpara se të përballeshin me një pengesë, por kërkimet vazhdojnë. Në hidrocentralin "Upper Trishuli 3A", ekipeve të shpëtimit iu deshën gati gjashtë ditë për të arritur te tuneli, pasi hyrja ishte e bllokuar, ndërsa ata po përpiqeshin të dërgonin oksigjen në hapësirat e mundshme brenda tuneleve, në rast se njerëzit ishin të bllokuar.

Më shumë se 1.200 njerëz humbën jetën nga përmbytjet e shkaktuara nga shembja e një akullnaje, ndërsa më shumë se 4.000 persona ende konsiderohen të zhdukur.

Katastrofa shkatërroi rreth 10 për qind të kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike në Nepal. qa/

Foto: X

QËNDRONI TË LIDHUR