• e martë, 27 gusht 2024

Zëvendësministrja Zekolli Shaqiri takoi kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani

Zëvendësministrja Zekolli Shaqiri takoi kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani

Shkup, 26 gusht 2024

Nuk mund të kishte nisur dita më mbarë se me një vizitë miqësore dhe pune në Preshevën krenare, ku kisha nderin të mirëpritem nga kryetarja e komunës, znj. Ardita Sinani. Një zonjë e jashtëzakonshme dhe një intelektuale e vërtetë. Znj. Sinani është udhëheqëse me vizion të qartë dhe përkushtim maksimal për zhvillimin e Preshevës. Aftësitë e saja dhe angazhimi për të mirën e komunitetit e bëjnë atë një figurë të rëndësishme dhe të admirueshme për rajonin.

Bashkë me mua ishin edhe zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj. Elfete Ismaili, si dhe deputetet e Kuvendit të RMV, znj. Imërlije Saliu dhe znj. Kaltrina Beqiri.

Mikpritje të ngrohtë kishim edhe nga asambleistet e komunës së Preshevës; znj.Drita Iljazi, znj.Melihate Rexhepi Ajvazi, znj.Fjollë Ibishi Ramadani dhe znj.Baftije Emini. Diskutuam disa çështje të rëndësishme për bashkëpunimin mes komunave shqiptare në rajon, duke eksploruar mundësitë për forcimin e lidhjeve në fusha të ndryshme, përfshirë zhvillimin ekonomik, kulturor e social. Një nga temat kryesore ishte infrastruktura dhe transporti. Folëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për lëvizjen e qytetarëve tanë.

Çështje tjetër e rëndësishme e cila u trajtua ishte nisma për organizimin e një konference që do të përfshijë gratë intelektuale nga i gjithë rajoni. Kjo konferencë synon të shërbejë si një platformë për diskutimin dhe zhvillimin e kauzave të përbashkëta, duke inkurajuar shkëmbimin e ideve dhe përvojave mes grave lidere.

Ne do të vazhdojmë me aktivitete konkrete në nivel qendror dhe lokal për të forcuar dhe zgjeruar këtë bashkëpunim. Takimi përfundoi me konkluzione shumë pozitive dhe një angazhim të përbashkët për të realizuar projektet e planifikuara. Me këtë tregojmë se përkushtimi ynë i përbashkët do të sjellë rezultate të prekshme dhe të dobishme për të mirën e komuniteteve tona.

Kaltrina Zekolli- Shaqiri, zëvendëministre e Transportit dhe LIdhjeve

________________________________________________________________________________________ 

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR