Dita e katërt e protestave në mbarë Shqipërinë, përleshje me policinë në disa qytete; Zyra e KB-së bën thirrje për uljen e tensioneve dhe dialog
- Studentë dhe nxënës të shkollave të mesme vazhduan edhe sot, për të katërtën ditë radhazi, protetstat kundër qeverisë në Shqipëri. Demonstratat u përhapën, përveç Tiranës dhe në disa qytete të tjera, ku pati përleshje me policinë, e cila përdori edhe gaz lotsjellës.
- Post By Qefsere Abduli
- 15:49, 16 tetor, 2026
Tiranë, 16 tetor 2026 (MIA) - Studentë dhe nxënës të shkollave të mesme vazhduan edhe sot, për të katërtën ditë radhazi, protetstat kundër qeverisë në Shqipëri. Demonstratat u përhapën, përveç Tiranës dhe në disa qytete të tjera, ku pati përleshje me policinë, e cila përdori edhe gaz lotsjellës.
Në Tiranë, të rinj nga kryeqyteti dhe pjesë të tjera të vendit u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar ndryshime në vend dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestat në kryeqytet po zgjatin tashmë prej katër ditësh, ndërsa tre ditët e mëparshme u shënuan nga tensione dhe konflikte.
Gjatë protestave të sotme policia ka përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve të mbledhur para Ministrisë së Arsimit.
Në Korçë, protestuesit u vunë flakën kontejnerëve dhe u përleshën me policinë. Përleshje mes protestuesve dhe policisë u regjistruan edhe në Lezhë, ndërsa sipas mediave lokale, dy vajza u plagosën gjatë përleshjeve.
Në Pogradec u brohoritën slloganet "Rama, dorëheqje" dhe "Rama në burg, Berisha në burg", duke iu referuar kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Sali Berisha.
Përleshje mes protestuesve dhe policisë u regjistruan edhe në Vlorë. Në Elbasan, të rinjtë, kryesisht nxënës të shkollave të mesme, braktisën mësimin dhe dolën në rrugë.
Në Kamëz, nxënësit e shkollave të mesme bojkotuan sërish mësimin dhe u përpoqën të niseshin drejt Tiranës për t'iu bashkuar protestave në kryeqytet. Marshimi i tyre u ndalua nga policia, ndërsa në terren kishte një numër të shtuar të efektivëve të policisë.
Zyra e KB-së në Shqipëri shprehin shqetësimin për dhunën dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme në Tiranë, duke u bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të përmbahen nga dhuna, të ulin tensionet dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, duke respektuar të drejtat themelore të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Në njoftim, Zyra e KB-së në Tiranë nënvizon rëndësinë e garantimit të së drejtës për tubim paqësor, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit të çdo personi, në përputhje me parimet e Kartës së KB-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Kombet e Bashkuara theksojnë gjithashtu se veprimet e forcave të rendit duhet të karakterizohen nga vetëpërmbajtja dhe proporcionaliteti, duke kërkuar respektimin e garancive për një proces të rregullt ligjor. Në njoftim, gjithashtu, theksohet edhe mbrojtja e pronës publike dhe private, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. qa/