• e martë, 18 gusht 2026

Deputetet Peshevska dhe Petkoska në Parlamentin e grave në Podgoricë

Deputetet Peshevska dhe Petkoska në Parlamentin e grave në Podgoricë

Shkup, 20 korrik 2026 (MIA) - Me ftesë të kryetares së Këshillit për Barazi të Parlamentit të Malit të Zi, Jelenka Andriq, kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zhaklina Peshevska, dhe deputetja Lidija Petkoska, anëtare e Komisionit, morën pjesë në Mbledhjen e Nëntëmbëdhjetë të Parlamentit të Grave, që u mbajt në Podgoricë me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Këshillit për Barazi dhe vendosjes së mekanizmit institucional për avancimin e barazisë në Mal të Zi.

Siç njoftojnë nga pres-shërbimi i Kuvendit, evenimenti ishte mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe qëndrime midis parlamentareve nga rajoni mbi sfidat dhe arritjet në avancimin e barazisë, si dhe mbi rolin e parlamenteve në krijimin e politikave që sigurojnë mundësi të barabarta dhe pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën publike dhe politike.

Në kuadër të vizitës, u mbajt takimi midis kryetares së Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zhaklina Peshevska, dhe kryetares së Këshillit për Barazi të Parlamentit të Malit të Zi, Jelenka Andriq. Në takim u shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira në punën e dy komisioneve, dhe u diskutuan mundësitë për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar, zbatimin e aktiviteteve dhe iniciativave të përbashkëta, si dhe për avancimin e rolit legjislativ dhe mbikëqyrës të trupave parlamentarë në fushën e barazisë.

"Barazia nuk është çështje e izoluar, por është vlerë themelore demokratike dhe tregues i rëndësishëm i zhvillimit të shoqërive moderne demokratike. U theksua se progresi i vërtetë matet përmes rezultateve konkrete që përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve dhe sigurojnë qasje të barabartë në të drejtat, mundësitë dhe drejtësinë", theksojnë nga Kuvendi.

Njëkohësisht, u shpreh gatishmëria e ndërsjellë për të thelluar më tej bashkëpunimin midis parlamenteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë rajonal. Në këtë kontekst, u theksua se nëpërmjet shkëmbimit të vazhdueshëm të përvojave, praktikave të mira dhe iniciativave të përbashkëta, mund të jepet kontribut i rëndësishëm në krijimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse, të drejta dhe të barabarta, në të cilat mundësitë e barabarta janë vlerë thelbësore dhe parakusht për zhvillim të qëndrueshëm demokratik. mb/

Foto: Kuvendi

QËNDRONI TË LIDHUR