Budanov: Negociatat me Moskën janë të mundshme që në shtator, por armëpushimi vetëm në pranverën e vitit 2027
- Negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë mund të rifillojnë deri në fund të shtatorit, por një armëpushim i vërtetë mund të presë deri në pranverën e vitit 2027, vlerësoi kreu i Zyrës së presidentit të Ukrainës, Kirilo Budanov.
- Post By Sara Ademi
- 19:30, 4 shtator, 2026
Kiev, 4 shtator 2026 (MIA) - Negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë mund të rifillojnë deri në fund të shtatorit, por një armëpushim i vërtetë mund të presë deri në pranverën e vitit 2027, vlerësoi kreu i Zyrës së presidentit të Ukrainës, Kirilo Budanov.
Në një intervistë për "Nju Jork Tajms", Budanov tha se pret që procesi i negociatave të rifillojë pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit në Rusi, disa javë para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin amerikan.
Sipas tij, një shtysë e re për negociatat mund të sjellë vizita në Kiev e të dërguarve të posaçëm të SHBA-së, Stiv Vitkof dhe Xhared Kushner. Siç deklaroi ai, ka data kornizë për vizitën e tyre në Ukrainë, ndërsa të dërguarit e SHBA-së duhet të udhëtojnë edhe në Moskë.
Edhe pse negociatat mund të fillojnë që këtë muaj, ai nuk beson se kushtet për një armëpushim do të krijohen kaq shpejt.
"Kushtet për një armëpushim ndoshta nuk do të krijohen deri në pranverë", vlerësoi Budanov.
Vlerësimi i tij praktikisht do të thotë se procesi diplomatik mund të nisë shumë kohë përpara se të sjellë rezultate konkrete në terren.
"Negociatat herët a vonë do të çojnë në diçka. Nuk mund të luftosh gjithë jetën tënde", tha Budanov.
Megjithatë, në Kiev, ata vazhdojnë të këmbëngulin në kushte që mund të përfaqësojnë pengesën më të madhe për një marrëveshje me Moskën.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski njoftoi më parë se Kievi kishte paraqitur propozime të reja për vazhdimin e procesit të paqes dhe i bëri thirrje Uashingtonit të përfshihej më aktivisht në zbatimin e tyre.
Në të njëjtën kohë, ai përsëri hodhi poshtë mundësinë e lëshimeve territoriale ndaj Rusisë në rajonin e Donbasit.
Kështu, përpara raundit të ri të diplomacisë, rishfaqet e njëjta pengesë kyçe - ajo që Ukraina do të ishte e gatshme të pranonte dhe ajo që Rusia do të kërkonte në këmbim të ndërprerjes së luftimeve. sa/
Foto: EPA