• e martë, 17 nëntor 2026

Bogoev u dërgua pasdite në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, po vendoset për kërkesën për paraburgim

Bogoev u dërgua pasdite në Gjykatën Themelore Penale në Shkup,  po vendoset për kërkesën për paraburgim

Shkup, 3 qershor 2026 (MIA) – Ish-drejtori i Drejtorisë Doganore, Stefan Bogoev, pasdite është dërguar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Bogoev duhet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij dhe edhe tre personave të tjerë, për shkak të dyshimeve të bazuara për keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik, si dhe për marrje dhe dhënie ryshfeti.

Prokuroria, më parë kumtoi, se ekziston dyshim i bazuar se gjatë periudhës korrik 2023 – mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për dhënien e kontratave të prokurimit publik për mirëmbajtjen e jashtme të higjienës në vendkalimet kufitare dhe terminale, me ç'rast duke favorizuar një operator ekonomik dhe duke kufizuar konkurrencën i është mundësuar subjektit juridik të përfitojë pasuri të paligjshme në shumën prej 18.479.692 denarësh.

Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar më herët kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndaj Stefan Bogoev në cilësinë e personit zyrtar – ish-drejtor i Drejtorisë Doganore, S. M. ish-ndihmësdrejtor në Drejtorinë Doganore, D. G. person i autorizuar në një subjekt juridik, A. S. i punësuar në subjektin juridik, si dhe ndaj një personi juridik, për dyshime për keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik, si dhe për marrje dhe dhënie ryshfeti. Prokuroria Publike njoftoi se janë siguruar prova dhe se për të katër personat do të kërkohet paraburgim.

Prokuroria, më herët gjatë ditës, bëri të ditur se duke vepruar mbi kallëzimin penal të dorëzuar nga Drejtoria e Policisë Financiare, prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lëshuar urdhër për hapjen e procedurës hetimore ndaj katër personave – ish-drejtor dhe ish-ndihmësdrejtor i Drejtorisë Doganore, drejtues i subjektit juridik dhe një i punësuar në të njëjtin subjekt.

"Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale, keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për prokurim publik ose partneritet publik-privat, marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm dhe dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm. Ekziston dyshim i bazuar se gjatë periudhës korrik 2023 – mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për dhënien e kontratave të prokurimit publik për mirëmbajtjen e jashtme të higjienës në vendkalimet kufitare dhe terminale, me ç'rast duke favorizuar një operator ekonomik dhe duke kufizuar konkurrencën i është mundësuar subjektit juridik të përfitojë pasuri të paligjshme në shumën prej 18.479.692 denarësh", kumtuan nga PPRMV.

Sipas provave të siguruara, i dyshuari i parë, duke përdorur pozitën dhe ndikimin e tij zyrtar si drejtor i Drejtorisë Doganore, ka ndikuar në zhvillimin e procedurës së tenderit në favor të ofertuesit të përzgjedhur, ndërsa i dyshuari i dytë, në cilësinë e ndihmësdrejtorit, ka ndikuar te operatorë të tjerë ekonomikë që të mos marrin pjesë në fazën përfundimtare të procedurës.

"Gjatë hetimit janë siguruar prova edhe për marrje dhe dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm, ku i dyshuari i parë ka marrë një shpërblim në shumën 111.600 denarë për shfrytëzimin e pozitës së tij zyrtare dhe ndikimit real. Me qëllim të zhvillimit të pandërprerë të procedurës penale, prokurori publik do t’i dorëzojë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë katër të dyshuarit, njoftuan nga Prokuroria. ls/

Foto: Arkiv 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR