BE-ja vendos rregulla të reja për pasagjerët e trafikut ajror nga viti 2027
- Rregullat e reja për të drejtat e pasagjerëve në trafikun ajror në Bashkimin Evropian sot pritet zyrtarisht të miratohen nga ministrat e vendeve anëtare, me ç'rast do të përfundojë procedura e fundit para hyrjes së tyre në fuqi.
- Post By Sara Ademi
- 07:45, 13 korrik, 2026
Bruksel, 13 korrik 2026 (MIA) - Rregullat e reja për të drejtat e pasagjerëve në trafikun ajror në Bashkimin Evropian sot pritet zyrtarisht të miratohen nga ministrat e vendeve anëtare, me ç'rast do të përfundojë procedura e fundit para hyrjes së tyre në fuqi.
Reformat që paraprakisht morën mbështetje nga Parlamenti Evropian, duhet të fillojnë të zbatohen në mes të vitit 2027 dhe do të sjellin të drejta shtesë për familjet që udhëtojnë, pasagjerët me invaliditet dhe personat me lëvizshmëri të reduktuar.
Sipas rregullave të reja, fëmijët më të vegjël se 14 vjet do të kenë të drejtë të ulen pranë prindërve të tyre në aeroplan pa pasur nevojë të paguajnë taksë shtesë për zgjedhje ose rezervim të sediljes. Kjo e drejtë do të zbatohet edhe për pasagjeret shtatzëna, si dhe për personat me lëvizshmëri të reduktuar të cilët udhëtojnë me shoqërues.
Kompanitë ajrore do të duhet të korrigjojnë gabimet drejtshkrimore dhe të shtypit në emrat e pasagjerëve të listuar në bileta, si dhe mund të mos aplikojnë tarifë për printimin e kartave të imbarkimit për pasagjerët e regjistruar.
Rregullorja e re synon një mbrojtje më të madhe të pasagjerëve dhe një përkufizim më të qartë të detyrimeve të linjave ajrore brenda kuadrit të transportit ajror në BE.
Lidhur me kompensimin e pasagjerëve në rast të vonesave dhe anulimeve të fluturimeve, rregullat ekzistuese do të mbeten kryesisht të pandryshuara, pavarësisht viteve të mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian mbi ndryshimet në këtë pjesë të rregullores. sa/
foto/MIA arkivi