BE-ja paralajmëron Rusinë - pa armëpushim, nuk ka negociata paqeje
- Zëdhënësi i Komisionit Evropian sot tha se nëse Rusia vazhdon me sulmet ndaj Ukrainës, nuk do të ketë mundësi për negociata paqeje. Në konferencën për media, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të kryejë presion ndaj Moskës dhe nuk e përjashtoi mundësinë që sanksionet e ardhshme evropiane ta përfshijnë gazsjellësin "Rrjedha veriore".
- Post By Sara Ademi
- 14:26, 12 maj, 2025

Bruksel, 12 maj 2025 (MIA) - Zëdhënësi i Komisionit Evropian sot tha se nëse Rusia vazhdon me sulmet ndaj Ukrainës, nuk do të ketë mundësi për negociata paqeje. Në konferencën për media, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të kryejë presion ndaj Moskës dhe nuk e përjashtoi mundësinë që sanksionet e ardhshme evropiane ta përfshijnë gazsjellësin "Rrjedha veriore".
Sipas zëdhënësit, përfshirja e "Rrjedhës veriore" në sanksionet do të dërgonte një mesazh të qartë se investimet në këtë projekt nuk janë fitimprurëse. Ai shtoi se BE-ja pret që ministrat evropian të punëve të jashtme, të cilët do të mbajnë tre mbledhje deri në fund të muajit, t'i miratojnë sanksionet shtesë.
"Në vitet e fundit kemi koordinuar ngushtë sanksionet kundër Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vazhdojmë të përpiqemi që sanksionet tona ta kenë mbështetjen e Uashingtonit", tha zëdhënësi, duke shtuar se BE-ja nuk mund të ketë besim në presidentin rus Vladimir Putin dhe se presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë.
Ai tha se armëpushimi është thelbësor për fillimin e negociatave të paqes për Ukrainën. BE-ja mbështet propozimin për armëpushim 30-të ditor pa kushte, i cili hyn në fuqi menjëherë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e pranoi këtë propozim, ndërsa tani pritet një përgjigje e qartë nga Rusia. "Zelenski sërish bën një hap drejt negociatave të paqes. Ende nuk e dimë nëse Putini do të pranojë një takim me të", shtoi zëdhënësi. sa/
foto: Arkivi