BE-ja dhe Pakistani bënë thirrje për diplomaci për ndërprerje të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit
- Bashkimi Evropian dhe Pakistani sot bënë thirrje për vazhdim të përpjekjeve diplomatike dhe dialogut për vënien fund të konfliktit në Lindjen e Afërt, duke vlerësuar se diplomacia është rruga e vetme e qëndrueshme drejt paqes.
- Post By Arta Bunjaku
- 20:29, 22 korrik, 2026
Manilë, 22 korrik 2026 (MIA) - Bashkimi Evropian dhe Pakistani sot bënë thirrje për vazhdim të përpjekjeve diplomatike dhe dialogut për vënien fund të konfliktit në Lindjen e Afërt, duke vlerësuar se diplomacia është rruga e vetme e qëndrueshme drejt paqes.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetarja e Komisionit evropian, Kaja Kallas, u takua me ministrin pakistanez të Punëve të jashtme, Ishak Dar në margjina të Forumit të 33-të rajonal të ASEAN-it në Manilë, kumtoi Ministria pakistaneze e Punëve të Jashtme.
Dy bashkëbiseduesit folën për gjendjen aktuale rajonale dhe cekën se diplomacia e vazhdueshme mbetet rruga e vetme e realizueshme dhe afatgjate drejt paqes dhe stabilitetit, posaçërisht në kontekst të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Iranit.
Thirrja për vazhdim të përpjekjeve diplomatike vjen në kohën e konflikteve të ripërtërira mes SHBA-së dhe Iranit, edhe përkundër asaj që të dy palët muajin e kaluar nënshkruan Memorandum mirëkuptimi në Islamabad.
Kallas dhe Dar biseduan edhe për pasojat më të gjera nga kriza ndaj sigurisë rajonale, tregjeve globale energjetike, sigurisë detare, tregtisë dhe zinxhirëve të furnizimit, duke e cekur rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Ata e përshëndetën edhe angazhimin e përbashkët për avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në kuadër të Planit strategjik për angazhim mes Pakistanit dhe BE-së.
Dar e përsëriti përkushtimin e Pakistanit drejt zbatimit të plotë të të gjitha konventave ndërkombëtare që e përbëjnë kprnizën GSP+, duke cekur se vendi i kushton rëndësi të madhe partneritetit ekonpmik me bashkimin Evropian. ab/
foto: arkivi