• e hënë, 17 nëntor 2025

Bashkim Hasani: Nuk jemi këtu për të folur për ndryshime, por për t'i filluar ato menjëherë

Bashkim Hasani: Nuk jemi këtu për të folur për ndryshime, por për t'i filluar ato menjëherë

Gostivar, 6 tetor 2025 (MIA) – Bartësi i i listës së këshilltarëve për komunën e Gostivarit nga radhët e koalicionit VLEN, Bashkim Hasani, paralajmëroi hapa konkretë pas zgjedhjeve. Ai në fjalimin e tij në konferencën për shtyp në shtabin zgjedhor, vuri në dukje se ndryshimet në Gostivar duhet të fillojnë menjëherë.

"Gostivari nuk ka më kohë për të humbur. Tetë vitet e kaluara kanë qenë vite të ndyrësisë, borxheve, emigrimit të të rinjve, një ekonomie të paralizuar dhe një administrate jofunksionale. Ne jemi këtu për t'i dhënë fund kësaj periudhe dhe për të hapur një kapitull të ri - një kapitull zhvillimi, dinjiteti dhe drejtësie për çdo qytetar", tha Hasani.

Ai theksoi se menjëherë pas konstituimit të Këshillit të Komunës së Gostivarit, do të merren shtatë vendime: Vendim për pastrim urgjent të qytetit dhe fshatrave, Vendim për auditim të plotë financiar dhe transparencë, Vendim për krijimin e një Fondi për të rinj dhe inovacione lokale, Vendim për miratimin e Planit për zhvillim ekonomik lokal 2025 - 2029, Vendim për reformën e administratës dhe digjitalizimin e shërbimeve. Si prioritet, Hasani theksoi edhe vendimet për një PPU të ri dhe rivendosjen e rendit në urbanizëm dhe Vendimin për transparencë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në çdo vendim.

Për bartësin e listës nga Vleni për Gostivarin, këto nuk janë vetëm premtime, por siç thekson, janë hapa konkretë që do të ndërmerren menjëherë.

"Ato përfaqësojnë ndryshimin midis asaj që ishte dhe asaj që do të jetë. Ne nuk do të presim katër vjet për ndryshime. Ndryshimi fillon ditën që ky këshill konstituohet", tha Hasani.

Në konferencën për shtyp folën edhe kandidatet në listën e VLEN-it, Bahar Shabani dhe Feride Sinani. ls/

Foto: VLEN Gostivar

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR