• e hënë, 16 nëntor 2026

Barnam: Rusia është përzier në referendumin për Brekzitin në vitin 2016

Barnam: Rusia është përzier në referendumin për Brekzitin në vitin 2016

Londër, 12 tetor 2026 (MIA) - Kryeministri britanik, Endi Barnam deklaroi se Rusia është përzier në referendumin për Brekzitin në vitin 2016, duke i paralajmëruar votuesit në Francë dhe Gjermani për tentimet e mbështetura nga Moska të ndikojnë ndaj jetës politike në vendet e tyre.

Barnam këtë e deklaroi në një intervistë në podkastin "Tjetra është politikë" të publikuar mbrëmë.

Barnam, i cili mori drejtimin e Britanisë së Madhe në korrik dhe muajin e kaluar deklaroi se vendi mund të shqyrtojë mundësinë e rikthimit në Bashkimin Evropian në të ardhmen, është kryeministri i parë britanik që thotë hapur se kishte prova për ndërhyrje ruse në referendumin e mbajtur gati një dekadë më parë.

"Kur erdha në Dauning Strit, shtrova pyetjen: a pati ndërhyrje nga Rusia në referendumin e vitit 2016? Dhe mora një përgjigje të qartë: po, pati", citohet të ketë thënë Burnham në një intervistë për podkastin .

Barnam nuk shpjegoi se si besonte se Rusia kishte ndërhyrë në referendum dhe nuk dha detaje mbi provat në të cilat bazohej kjo deklaratë.

Rusia më parë e ka mohuar ndërhyrjen në votimin e Brekzitit, duke pretenduar se Britania është kapluar nga një histeri anti-ruse.

Komentet e Barnamit shënojnë një ndryshim nga qëndrimi i ish-kryeministrit Boris Xhonson, i cili bëri fushatë për largimin nga BE-ja dhe në vitin 2020 deklaroi se nuk kishte prova për ndërhyrje ruse në referendum.

Në vitin 2016, britanikët votuan me një rezultat 52% kundrejt 48% për t'u larguar nga BE-ja, duke e zhytur vendin në krizën më të madhe politike që nga Lufta e Dytë Botërore.

Barnam tha se votuesit në demokracitë evropiane duhet të jenë më të informuar rreth përpjekjeve për të destabilizuar politikën e tyre.

"Është e rëndësishme që këto gjëra të thuhen qartë dhe, besoj unë, t'i ndihmojnë votuesit në Gjermani dhe Francë të kuptojnë se një pjesë e kësaj politike nxitet nga armiqtë tanë, konkretisht nga Rusia", ka thënë ai.

Qeveria britanike nuk arriti të përcaktonte nëse Rusia kishte ndërhyrë në referendumin e vitit 2016 për anëtarësimin në BE, sipas një raporti të vitit 2020 të Komisionit Parlamentar për Inteligjencën dhe Sigurinë.

Raporti gjithashtu konstatoi se Rusia kishte tentuar të ndikonte në referendumin e pavarësisë së Skocisë në vitin 2014, në të cilin votuesit e hodhën poshtë pavarësinë.

Muajin e kaluar, Barnam deklaroi se mund të angazhohej në një fushatë për rikthimin e Britanisë në BE në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, duke rihapur kështu debatin e vendit mbi marrëdhëniet e tij me kontinentin. ab/

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR