• e enjte, 17 shtator 2026

Azizi: Marrëveshja e Ohrit na kujton se dialogu është gjithmonë më i fortë se ndarja 

Azizi: Marrëveshja e Ohrit na kujton se dialogu është gjithmonë më i fortë se ndarja 

Shkup, 13 gusht

Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Latifi Azizi në kuadër të aktivitetit të mbajtur sonte në Shkup lidhur me shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, ka theksuar rëndësinë e këtij jubileu si një moment për të reflektuar mbi të kaluarën, por mbi të gjitha për të folur për të ardhmen e vendit.
 
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ajo theksoi se 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes nuk janë vetëm një përvjetor, por një moment për të vlerësuar përgjegjësinë që institucionet dhe shoqëria kanë për të ardhmen.
 
“25 vite nuk janë vetëm një përvjetor. Janë një rrugëtim, janë kujtesë, janë përgjegjësi dhe mbi të gjitha, një mundësi për të parë përpara”, u shpreh Azizi.

Ajo theksoi se Marrëveshja e Ohrit duhet të shihet si një proces i vazhdueshëm i ndërtimit të besimit dhe bashkëjetesës, duke nënvizuar se fryma e saj nuk duhet të kufizohet vetëm në zbatimin formal të dispozitave, por të reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve.

Sipas saj, 25 vjet pas marrëveshjes, sfida kryesore është që barazia dhe përfshirja të bëhen pjesë e qëndrueshme e funksionimit të institucioneve dhe shoqërisë.

“Pyetja për ne sot nuk është vetëm se çfarë kemi arritur, por çfarë mund të bëjmë më mirë dhe çfarë shteti do t’u lëmë gjeneratave që vijnë pas nesh”, theksoi zëdhënësja e Qeverisë.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi se Marrëveshja e Ohrit ka krijuar një bazë të rëndësishme për pjesëmarrjen e komuniteteve në institucionet e shtetit, ndërsa sfida e gjeneratës së re është që këtë bazë ta shndërrojë në më shumë mundësi, besim dhe zhvillim të përbashkët.

Azizi theksoi veçanërisht rëndësinë e të rinjve, duke nënvizuar se perspektiva e vendit nuk mund të ndërtohet pa krijuar kushte që ata të arsimohen, të punojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në Maqedoninë e Veriut.

Ajo bëri thirrje që përvjetori të shërbejë si pikënisje për një kapitull të ri, ku dallimet mes komuniteteve nuk do të shihen si pengesë, por si pasuri e përbashkët dhe mundësi për bashkëpunim.

“Marrëveshja e Ohrit na kujton se dialogu është gjithmonë më i fortë se ndarja dhe se e ardhmja ndërtohet vetëm atëherë kur të gjithë ndihen pjesë e saj”, tha ajo.

Sipas saj, 25-vjetori duhet të shërbejë edhe si zotim institucional për forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, kohezionit shoqëror dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“25 vjet e më tej”, theksoi ajo, nuk duhet të jetë vetëm moto e një përvjetori, por një angazhim për atë që vendi duhet të ndërtojë në dekadat e ardhshme – një shtet më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.

VLEN

__________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Foto:VLEN

QËNDRONI TË LIDHUR