• e mërkurë, 10 qershor 2026

ANEB paralajmëron për rritje të aktivitetit të dronëve në termocentralet bërthamore të Ukrainës

ANEB paralajmëron për rritje të aktivitetit të dronëve në termocentralet bërthamore të Ukrainës

Vjenë, 14 maj 2026 (MIA) - Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (ANEB) njoftoi se këtë javë ka regjistruar një "rritje të ndjeshme" të aktivitetit të dronëve pranë centraleve bërthamore në Ukrainë. Sipas ANEB-it, më shumë se 160 dronë fluturuan pranë objekteve në Ukrainën jugore, si dhe pranë Çernobilit dhe Rivne-s më 13 dhe 14 maj.

"Drejtori i Përgjithshëm i ANEB-it, Rafael Mariano Grosi, shpreh shqetësim të thellë për aktivitete të tilla ushtarake pranë centraleve bërthamore dhe përsërit nevojën për të respektuar plotësisht shtatë shtyllat e domosdoshme për të siguruar sigurinë bërthamore gjatë konfliktit", citohet në kumtesën e agjencisë.

ANEB kumtoi se ekipet e saj në terren nuk kishin raportuar ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë bërthamore në të tre vendet, pavarësisht aktivitetit në rritje të dronëve.

Grosi bëri thirrje gjithashtu për "përmbajtje maksimale" për të zvogëluar rrezikun e një incidenti të mundshëm bërthamor. Kumtesa vjen në mes të shqetësimeve të vazhdueshme në lidhje me sigurinë e objekteve bërthamore në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

ANEB vazhdon të kryejë misione monitorimi në disa centrale bërthamore ukrainase, si pjesë e përpjekjeve për të mbikëqyrur sigurinë bërthamore gjatë konfliktit. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR