ANEB: Është arritur armëpushim lokal për përmirësimin e linjës së energjisë tek termocentrali "Zaporozhje"
- Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) njoftoi se ka ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm lokal midis Ukrainës dhe Rusisë në zonën përreth termocentralit bërthamor "Zaporozhje", me qëllim riparimin e linjës së energjisë që furnizon termocentralin me energji elektrike të nevojshme për ftohjen e reaktorëv
Vjenë, 5 qershor (MIA) - Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) njoftoi se ka ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm lokal midis Ukrainës dhe Rusisë në zonën përreth termocentralit bërthamor "Zaporozhje", me qëllim riparimin e linjës së energjisë që furnizon termocentralin me energji elektrike të nevojshme për ftohjen e reaktorëve.
Armëpushimi lokal hyri në fuqi në vijën e frontit pranë termocentralit përgjatë lumit Dnjepar, duke hapur rrugën për riparime kyçe dhe duke zvogëluar rrezikun e një incidenti bërthamor.
Sipas Agjencisë, ky është armëpushimi i gjashtë i përkohshëm i rënë dakord me ndërmjetësimin e drejtorit të përgjithshëm të ANEB, Rafael Grosi.
Ekipet teknike nga të dy vendet do të fillojnë riparimin e linjës së dëmtuar të energjisë prej 750 kilovoltësh në ditët në vijim, pasi më parë kanë pastruar dhe çminuar zonën.
Linja e energjisë ka qenë jashtë funksionit për më shumë se dy muaj, duke e lënë termocentralin më të madh bërthamor të Evropës të mbështetet vetëm në një linjë prej 330 kilovoltësh për furnizimin me energji elektrike, thelbësore për ftohjen e gjashtë reaktorëve që janë jashtë funksionit.
ANEB paralajmëron se centrali ka qenë jashtë energjisë disa herë gjatë javëve të fundit, me gjeneratorë dizel që përdoren si burime alternative të energjisë.
Rusia dhe Ukraina e kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për bombardimin e centralit. mb/
Foto: MIA