• e hënë, 13 korrik 2026

Aliu për MIA-n: Raporti i plotë i komisionit të huaj me dokumentacionin mjekësor të pacientëve nuk mund të publikohet që të parandalohet identifikimi i indirekt i tyre

Aliu për MIA-n: Raporti i plotë i komisionit të huaj me dokumentacionin mjekësor të pacientëve nuk mund të publikohet që të parandalohet identifikimi i indirekt i tyre

Shkup, 15 maj 2026 (MIA) - Raporti i komisionit të ekspertëve të huaj, i cili kreu shqyrtim të pavarur profesional të 13 rasteve dhe konfirmoi nëntë raste që lidhen me dyshimet për ndërhyrje të panevojshme kardiokirurgjikale, përmban të dhëna personale dhe mjekësore të pacientëve, si dhe dokumentacion të detajuar mjekësor, gjetje diagnostikuese, të dhëna mbi trajtimin dhe rrjedhën klinike të rasteve. Në përputhje me nenin 25 paragrafi 1 të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, të dhënat personale dhe mjekësore të pacientit duhet të mbahen konfidenciale në përputhje me rregulloret për mbrojtjen e të dhënave personale. Prandaj, qasja në raportin e plotë nuk mund të sigurohet në një formë që do të përmbante të dhëna nga dokumentacioni mjekësor i pacientëve", deklaroi për MIA-n, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Në raste të tilla, theksoi ministri, nuk mjafton thjesht të fshihet teknikisht emri dhe mbiemri, sepse përmes një kombinimi të diagnozave, datave, institucioneve, llojit të ndërhyrjes, rrjedhës klinike dhe detajeve të tjera mjekësore, mund të arrihet identifikimi indirekt i pacientëve.

Në pyetjen nëse nëntë rastet janë të njëjtat me ato të konfirmuara nga komisioni i brendshëm, ai theksoi se ato janë i njëjti grup prej 13 rastesh që u ndanë pas analizës së ekspertëve të komisionit të brendshëm dhe u dorëzuan për shqyrtim shtesë të pavarur deri te ekspertët e huaj.

"Komisioni i huaj kreu analizën e vet, të pavarur, të dokumentacionit të paraqitur mjekësor dhe në nëntë nga ato 13 raste përcaktoi gjetje të dyshimta në vlerësimin diagnostik dhe indikacion të papërshtatshëm për procedura endovaskulare ose kirurgjikale. Prandaj, u njoftua se gjetjet e komisionit të huaj përkojnë kryesisht me gjetjet e komisionit të brendshëm vendas, por secili komision punoi në mënyrë të pavarur", thotë Aliu.

Lidhur me arsyen pse këmbëngulet që rastet janë të dyshimta kur të dy komisionet kanë përcaktuar se ndërhyrjet ishin të panevojshme, ai thekson se Ministria e Shëndetësisë nuk duhet të sjellë kualifikime ligjore. Sipas tij, është detyrim i tyre të shpallin gjetjet e ekspertëve, t'ua dorëzojnë ato institucioneve kompetente dhe të marrin masa sistemike për të parandaluar përsëritjen.

I pyetur për një ekspertizë të re të mundshme nga Prokuroria Publike, kur tashmë ka gjetje të konfirmuara nga komisionet vendase dhe të huaja, ai thekson se Ministria e Shëndetësisë nuk ka shpallur një ekspertizë të re nga Prokuroria Publike, as nuk mund të shpallë veprime procedurale në emër të një institucioni tjetër.

"Ajo që u njoftua është se gjetjet e komisioneve vendase dhe të huaja të ekspertëve do t'u dorëzohen institucioneve kompetente, përfshirë Prokurorinë Publike. Gjetjet e dy komisioneve përfaqësojnë një bazë ekspertize dhe për këtë arsye Ministria do të veprojë në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Por çdo hap i mundshëm i mëtejshëm, përfshirë nëse do të kërkohet ekspertizë shtesë, është brenda kompetencave të Prokurorisë Publike, jo të Ministrisë së Shëndetësisë", shtoi Aliu për MIA-n.mb/

Foto: MIA
 


 

QËNDRONI TË LIDHUR