Aktorja Kejli Hotëll e humbi jetën në një aksident trafiku
- Kejli Hotëll, aktorja me dëgjim të dëmtuar, ndoshta më e njohur për rolin e Xhias në filmat “Godzilla kundër Kongut”, e humbi tragjikisht jetën në një aksident trafiku në shtetin amerikan Merilend, në moshën 18-vjeçare. Aksidenti fatal me një automjet ndodhi dje në mëngjes, kur automjeti doli nga rruga dhe u përplas në një kanal.
Los Anxhelos, 22 korrik 2026 (MIA) – Kejli Hotëll, aktorja me dëgjim të dëmtuar, ndoshta më e njohur për rolin e Xhias në filmat “Godzilla kundër Kongut”, e humbi tragjikisht jetën në një aksident trafiku në shtetin amerikan Merilend, në moshën 18-vjeçare. Aksidenti fatal me një automjet ndodhi dje në mëngjes, kur automjeti doli nga rruga dhe u përplas në një kanal.
Babai i saj, Xhoshua, e konfirmoi lajmin për vdekjen e saj në një video-mesazh në Fejsbuk. Videoja është realizuar në gjuhën amerikane të shenjave, pasi të gjithë anëtarët e familjes Hotëll janë të shurdhër. Mesazhi mban titullin: “Po nis një udhëtim që kurrë nuk doja ta bëja”, publikoi "Gardian".
Shkolla e të shurdhërve në Teksas, të cilën ajo e ndiqte, gjithashtu njoftoi për vdekjen e saj.
“Zemrat tona janë me familjen e Kejlit, miqtë, shokët e klasës dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në kumtesën.
Hotëll luajti në filmin aventuresk të vitit 2021 “Godzilla kundër Kongut” dhe në vazhdimin e tij “Godzilla x Kong: Perandoria e Re”, të vitit 2024, kujton “Hollivod Reporter”.
“Luaj në filma me përbindësha si një person i shurdhër. Dua që njerëzit e shurdhër ta dinë se edhe ata mund ta bëjnë këtë, njësoj si unë. Nuk ka kufij!”, kishte thënë ajo në një rast.
Përveç roleve të saj në filma, Hotëll është shfaqur edhe në disa reklama, si dhe në një episod të serialit të rinovuar televiziv "Magnum P.I.". ls/
Foto: Fejsbuk