• e enjte, 15 tetor 2026

Çfarë dite është sot dhe çfarë ngjyre ka kravata juaj: Fauçi akuzohet se u pasurua, ndërsa miliona amerikanë vdisnin

Çfarë dite është sot dhe çfarë ngjyre ka kravata juaj: Fauçi akuzohet se u pasurua, ndërsa miliona amerikanë vdisnin

Shkup, 30 korrik 2026 (MIA) – Me pyetje të pazakonta të tipit “çfarë ngjyre ka kravata që mbani”, senatori amerikan Xhosh Holi e nisi dje marrjen në pyetje të ish-drejtorit të Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive të SHBA-së, Entoni Fauçi, gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, duke u përpjekur të theksojë absurdin e refuzimit të tij të vazhdueshëm për të dëshmuar, duke iu referuar Amendamentit të Pestë të Kushtetutës.

Senatorët republikanë e akuzuan Fauçin për shpërfillje ndaj Kongresit dhe për pasurim gjatë pandemisë, duke theksuar se thirrja e tij në të drejtën për të mos dëshmuar është e paligjshme, pasi ai më parë ka marrë falje presidenciale.

Pyetjeve të senatorit Holi se cila ditë e javës është, çfarë ngjyre ka kravata e tij dhe çfarë ngjyre ka qilimi para tij, Fauçi vazhdimisht u përgjigjej njësoj.

"Me këshillën e përfaqësuesit tim ligjor, me gjithë respektin e duhur, refuzoj të përgjigjem duke u mbështetur në të drejtat e mia sipas Amendamentit të Pestë të Kushtetutës", deklaroi Fauçi.

Duke reaguar ndaj këtyre përgjigjeve, Holi theksoi se Fauçi nuk ka të drejtë të thirret në Amendamentin e Pestë, pasi, siç tha ai, tashmë është falur nga ish-presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Supreme të vitit 1896.

"Kur dikush falet, ai nuk mund të thirret në këtë privilegj. Ju e dini këtë. Avokatët tuaj që janë ulur pas jush dhe lëvizin me nervozizëm në karrige e dinë këtë. Këtu nuk bëhet fjalë për Kushtetutën. Nuk bëhet fjalë për ligjin. Bëhet fjalë për mungesë respekti. Mungesë respekti ndaj këtij institucioni dhe mungesë respekti ndaj popullit amerikan" tha Holi.

Senatori e akuzoi më tej Fauçin se po refuzon të përgjigjet sepse “ka bërë lloj-lloj gjërash të tmerrshme” dhe ka përfituar financiarisht gjatë krizës shëndetësore.

"U pasuruat ndërsa njerëzit po vdisnin, qindra mijëra amerikanë, në fund më shumë se një milion. Dhe jo vetëm kaq, por përdorët zyrtarë federalë dhe paratë e taksapaguesve për të aplikuar dhe kërkuar shpërblime monetare për veten tuaj. Shpërblime monetare në vlerë totale prej mbi një milion dollarësh" theksoi Holi.

Në seancën dëgjimore, senatori Rend Pol e paralajmëroi Fauçin se mund të ketë pasoja për refuzimin e tij për të dëshmuar në kuadër të hetimit të Kongresit. Ai sqaroi se ish-presidenti i SHBA-së, Bajden, i kishte dhënë një falje të gjerë që shtrihet deri në vitin 2014, por, siç tha ai, falja nuk e rishkruan historinë dhe nuk e pengon Kongresin të përcaktojë se çfarë ka ndodhur.

"Kryesuesi e hodhi poshtë thirrjen tuaj për privilegj dhe ju urdhëroi të përgjigjeni, por ju sërish refuzoni dhe vazhdoni të thirreni në këtë privilegj, pavarësisht ekzistencës së faljes. Pas kësaj seance dëgjimore, Komisioni do të duhet të shqyrtojë se cilat masa përkatëse duhet të ndërmerren ndaj jush për refuzimin e dëshmisë pasi ju është urdhëruar ta bëni këtë. Është kundërligjore të pengohet një hetim i Kongresit. Refuzimi juaj i sotëm për të dëshmuar do të ketë pasoja", tha Pol.

Duke iu referuar menaxhimit të pandemisë, senatori Pol theksoi se fshehtësia, arroganca dhe censura e shkatërrojnë besimin e publikut.

"Besimi nuk mund të urdhërohet, ai duhet të fitohet. Asnjë shkencëtar nuk është mbi një analizë të hollësishme, asnjë funksionar qeveritar nuk është mbi përgjegjësinë dhe asnjë zyrtar publik nuk ka të drejtë ta trajtojë vuajtjen e miliona amerikanëve si një fusnotë në versionin e tij të preferuar" shtoi Pol.

Kritika të ashpra ndaj Fauçit drejtoi edhe senatori Berni Moreno, i cili politikat kufizuese gjatë pandemisë i vlerësoi si të turpshme për shtetin.

"Ato politika u vendosën sepse kishit politikanë idiotë që dëgjonin fjalët e një megalomani, të cilin më shumë e interesonte të takohej me ndonjë anëtar të familjes Kardashian sesa vuajtja e popullit amerikan, dhe ai jeni ju", tha Moreno.

Ai rikujtoi rastin e arrestimit të një nëne, e cila po ndiqte një ndeshje futbolli me familjen e saj në ambient të hapur, duke theksuar se pikërisht situata të tilla e kishin motivuar të linte karrierën në biznes dhe të hynte në politikë.

Republikanët prej një kohe të gjatë pretendojnë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka financuar kërkime për të ashtuquajturin “gain-of-function” (Lloj kërkimi biologjik në të cilin një virus, bakter ose mikroorganizëm modifikohet për të fituar ose përforcuar një funksion të caktuar.) në Institutin e Virologjisë në Vuhan, të cilat, sipas tyre, kanë kontribuar në shfaqjen e pandemisë, pasi pikërisht në laborator është bërë e mundur që virusi të bëhet më i transmetueshëm mes njerëzve dhe më vdekjeprurës.

Fauçi ishte një nga këshilltarët kryesorë të autoriteteve amerikane gjatë pandemisë së KOVID-19 dhe drejtoi Institutin Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive për gati katër dekada. Republikanët prej vitesh e kritikojnë veprimin e tij gjatë pandemisë dhe deklaratat e tij para Kongresit, ndërsa ai i hedh poshtë akuzat se institucioni që ai drejtonte ka financuar kërkime që çuan në shfaqjen e koronavirusit.

Hetimet federale deri më tani nuk kanë arritur në një konkluzë përfundimtare mbi origjinën e virusit, ndërsa nuk është vërtetuar asnjë provë se ai është modifikuar gjenetikisht dhe është lëshuar nga një laborator.

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR