0_Maqedoni.PortalPolitikë

Xhaferi: Intensifikimi i bashkëpunimit të vendeve nga Nisma Adriatiko-Joniane përmes parlamenteve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot në Budvë mbajti fjalim në Konferencën e 16-të të kryetarëve të parlamenteve të Nismës Ardiatiko-Joniane.

Budvë, 19 mars 2019 (MIA) – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot në Budvë mbajti fjalim në Konferencën e 16-të të kryetarëve të parlamenteve të Nismës Ardiatiko-Joniane.

Xhaferi, siç informojnë nga Kabineti i tij, ka potencuar se nga formimi i iniciativës në vitin 2000, si propozim i Italisë, e deri sot, gjendjet në rajon kanë ndryshuar shumë dhe atë në drejtim pozitiv dhe në të gjitha sferat.

“Qysh në fillim, dëshiroj ta shpreh kënaqësinë time për pjesëmarrjen në Konferncën e gjashtëmbëdhjetë (XVI) të Nismës Adriatike-Joniane në të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e plotfuqishme prej në maj të vitit 2018, edhe pse bashkëpunimi ynë daton prej shumë më herët. T’ju rikujtoj se kur u formua Nisma Adriatike-Joniane në vitin 2000 si propozim i Italisë, një nga qëllimet ishte përmirësimi i zhvillimit dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve në rajon, përforcimi i sigurisë në vendet e rajonit dhe tu jepet nxitje në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Prej atëherë e deri tani, situatat në rajon kanë ndryshuar shumë edhe atë në kahun pozitiv dhe në të gjitha fushat”, tha Xhaferi.

Ai shtoi se tërë këtë e përmend për arsye se, në periudhën e kaluar vërtetohet në mënyrë shumë eksplicite roli i parlamenteve në realizimin e përcaktimeve të shënuara në deklaratën themeluese të Nismës Adriatike-Joniane, a gjithsesi edhe përcaktimet strategjike të atyre shteteve të rajonit të cilat akoma nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ose, thënë me fjalë tjera, në këto procese të ballafaqimit me sfidat më të ndryshme si në nivelin global ashtu edhe në nivel të rajoneve, diplomacia parlamentare ka rol gjithnjë më të rëndësishëm, natyrisht kuptuar në mënyrë komplementare me diplomacinë klasike”, tha kryeparlamentari i Maqeodnisë së Veriut.

Gjithsesi, shtoi ai, se për stabilitetin në rajon dhe për integrimin e tij evropian përgjegjësia është e çdo shteti individualisht.

“Republika e Maqedonisë së Veriut, me Marrëveshjen e Prespës e tejkaloi kontestin shumë dekadash me Greqinë fqinje me çka u debllokua rruga jonë drejt integrimeve euroatlantike por në të njëjtën kohë, ka impakt shumë pozitiv edhe mbi gjithë rajonin, por edhe më gjerë. E dini se është në rrjedhë procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në NATO dhe dëshiroj që ta shfrytëzoj këtë rast dhe edhe njëherë të falënderoj parlamentet nacionale të Greqisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Rumanisë, Lituanisë dhe gjithsesi mikpritësit tonë, Parlamentit të Malit të Zi, të cilët veçmë e ratifikuan këtë Protokoll”, tha Xhaferi.

Bashkëpunimi parlamentar, thuhet më tej në kumtesë, ka më shumë forma, ndërsa Xhaferi veçanërisht dëshiron ta theksoj rolin e trupave punues të parlamenteve.

“Më lejoni t’ju rikujtoj disa përvoja pozitive që i kemi në Kuvendin e Republikë së Maqedonisë së Veriut. Vjeshtën e kaluar kishim një konferencë rajonale shumë të suksesshme të dedikuar për të rinjtë dhe politikat rinore. Eveniment ku merrnin pjesë parlamentarë nga rajoni dhe nga Parlamenti Evropian, ndërsa hapjen e bëri nënkryetari i nderuar i Parlamentit Evropian, zotëri Fabio Masimo Kastaldo. Para kësaj, kishim konferencë rajonale të komisioneve për Financa dhe Buxhet, të dedikuar për kontrollin parlamentar mbi harxhimin e buxhetit dhe një sërë evenimentesh tjera. Gjithsesi, evenimente të këtilla dhe të ngjashme zhvillohen edhe në parlamentet tjera në rajon ku deputetët tanë, anëtarë të komisioneve dhe trupave të ndryshme parlamentare marrin pjesë në mënyrë aktive”, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë.

Shtoi se në asociacionin tonë kemi katër shtete, Italinë, Greqinë, Kroacinë dhe Slloveninë të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa të gjitha tjerat jemi aspirante për anëtarësim të plotfuqishëm.

“Duke e pasur parasysh se këtë vit, në nivel të Bashkimit Evropian do të ketë zgjedhje për përbërjen e re të Parlamentit Evropian, a në të njëjtën kohë procesi Bregzit fiton dimensione të reja, është plotësisht e pritshme se Brukseli t’u kushtojë më shumë vëmendje këtyre çështjeve. Në një realitet të këtillë, për ne, shtetet aspirante, është shumë e rëndësishme që në kuadër të Nismës Adriatike-Joniane ta intensifikojmë bashkëpunimin nëpërmjet trupave parlamentarë. Respektivisht, trupat parlamentarë më së shpeshti debatojnë për çështje konkrete, siç ishte shembulli me turizmin dhe kulturën, që ishin temë e diskutimi të sesionit të parë. Por, nuk përfundon këtu lista e çështjeve me prioritet dhe temave për bashkëpunim. Do të vazhdoj me çështjet në lidhje me sigurinë, sidomos nëse e kemi parasysh krizën refugjate, mirëpo edhe çështje tjera të sigurisë që janë të ndërlidhura me zgjidhjen e gjendjeve në Siri dhe disfatën e ISIS-it. Më tutje, çështje në lidhje me infrastrukturën transportuese, çështje që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësi, më tutje korpusi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ashtu më tej, gjegjësisht, një paletë e tërë e temave në të cilat mundemi të bashkëpunojmë. Çështje që edhe pse në shikim të parë duket sikur kanë të bëjnë vetëm me nivelin nacional, përsëri kanë dimension të rëndësishëm rajonal dhe prandaj bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm. Ajo që është shumë me rëndësi është fakti se prej miqve tanë, anëtarë të Bashkimit Evropian, mund të mësojmë shumë rreth asaj që do në ndihmojë në reformat tona a në të njëjtën kohë, nëpërmjet tyre ti artikulojmë interesat tona, çështjet tona a ndonjëherë mundet edhe dilemat në Parlamentin Evropian por edhe para organeve dhe institucioneve tjera të Bashkimit Evropian”, tha Xhaferi, me këtë rast duke shprehur falënderim për mikpritësit, Kuvendin e Malit të Zi për takimin e organizuar me sukses, me besim të sinqertë se bashkëpunimi ynë rajonal do të vazhdojë të mbindërtohet dhe zhvillohet për prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë dhe për integrimin e tërësishëm të rajonit në Bashkimin Evropian. bsh/

Таг
Back to top button
Close