0_MIA Investigon.PortalE përzgjedhur

Venezuela dhe ndikimi i Kubës

SHBA-ja i shpreh vërejtje Kubës se e kontrollon elitën politike, forcat e armatosura dhe të sigurisë, si dhe shërbimet sekrete të Venezuelës. Havana mohon dhe kërkon prova nga Uashingtoni.

18 mars 2019

Dojçe Vele – Bon

SHBA-ja i shpreh vërejtje Kubës se e kontrollon elitën politike, forcat e armatosura dhe të sigurisë, si dhe shërbimet sekrete të Venezuelës. Havana mohon dhe kërkon prova nga Uashingtoni.

Për presidentin amerikan Donald Tramp, presidenti i Venezuelës Nikolla Maduro është “marionetë e Kubës”. Në fjalimin e tij, në fund të shkurtit në Florida, Tramp e zhvendosi dhe akuzoi Kubën se ka stacionuar njësi ushtarake në Venezuelë dhe u kërcënua me intervenim ushtarak për t’i ndihmuar presidentit të vetëshpallur Huan Guaido për të ardhur në pushtet në Karakas.

Qeveria kubane reagoi menjëherë. Aktakuzat janë të këqija, tha ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodrigez dhe kërkoi nga SHBA-ja prova për sistemimin e supozuar të ushtarëve dhe infiltrim të armatës në Venezuelë.

Akuzat në adresë të Kubës nuk vijnë vetëm nga SHBA-ja por edhe nga Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), organizatat joqeveritare, si dhe nga ish-pjesëtarët e forcave të armatosura të Venezuelës.

Ministria e Jashtme kubane kërkoi prova të pakontestueshme, meqë Karakasi dhe Havana i fshehin mirë, shprehet dr. Ivo Hernandez nga Instituti për Shkenca Politike i Universitetit në Minster. Maduro, siç shprehet, ka kontrollin mbi përhapjen e informacioneve në vend dhe i mban nën çelës të dhënat për treguesit ekonomik, siç janë normat reale të inflacionit, por gjithashtu edhe informacionin për nivelin e pranisë kubane në Venezuelë. – Por, tashmë një numër i mjaftueshëm i ish-pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Venezuelës përshkruajnë ndikimin e fuqishëm të armatës kubane, deklaroi Ivo Hernandez për Dojçe Velen.

Prova indirekte

Evan Elis, profesor i Institutit për Studime Strategjike (SSI) niset nga fakti se ekzistojnë prova të mjaftueshme indirekte për ndikimin kuban në forcat e sigurisë së Venezuelës. – Nëse SHBA-ja ka informacione, atëherë ato janë, kuptohet, rreptësisht të besueshme, shprehet Elis në bisedën me DV-në. – Nëse amerikanët i vendosin këto informacione në tavolinë, atëherë akuzat e tyre bëhen të besueshme, por më pas, në disa rrethana, i cenojnë jetët e informatorëve të tyre dhe i tregojnë metodat hetuese, shprehet Elis.

Për ekspertin ushtarak amerikan, ekzistojnë deklarata të pakontestueshme prej shumë qytetarëve të Venezuelës lidhur me ekzistimin e kontakteve të përditshme me kubanët. Në mesin e tyre janë arsimtarët, trajnerët e sportit, mjekët, teknikët dhe ushtria. – Nuk duhet të përjashtohet mundësia që disa prej tyre punojnë me shërbimet sekrete kubane, shprehet Elisi.

E kur ka filluar Kuba të zgjerojë ndikimin e saj në Venezuelë? Ekspertët nuk janë unik lidhur me këtë pyetje. Disa prej tyre besojnë se ky ndikim ka ekzistuar që para tentimit për grushtet kundër ish-presidentit të Venezuelës, Ugo Çavez më 11 prill të vitit 2002. Sidoqoftë, kjo ngjarje në mesin e vëzhguesve konsiderohet si puç.

Ekspansionizëm revolucionar

Është e pakontestueshme se presidenca kubane nën Fidel Kastron, pak pas revolucionit në vitin 1959, tentoi të zbatojë në mënyrë aktive modelin kuban të revolucionit në vendet tjera – duke përfshirë edhe Venezuelën. – Planet e Kastros mund të realizoheshin vetëm atëherë kur në pushtet do të vinte një njeri që mund të jetë i manipuluar. Njeriu i tillë ishte Ugo Çavez, i cili ishte në pushtet në Venezuelë prej vitit 1999 e deri në vdekjen e tij, shprehet Ivo Hernandez. Sipas tij, Kuba, para më shumë se 15 viteve ka filluar të eksportojë në Venezuelë sisteme politike, sociale dhe ekonomike të kontrollit, që i mori nga Bashkimi Sovjetik.

“Ditë të nënshtrimit” quhet libri në të cilin gazetari i Venezuelës, Orlando Avendano e përshkroi planin e Kastros për zgjerim në Venezuelë, një kohë të gjatë para sundimit të Ugo Çavezit. – Hulumtimi im fokusohet në periudhën mes viteve 1959 dhe 1994, kur Kastroja dhe Çavezi u takuan për herë të parë, ndërsa Çavezi menjëherë u hipnotizua nga Kastroja, shprehet Avedano. Në bazë të burimeve dhe intervistave të shumta me dëshmitarë nga kjo kohë, Avedano e përshkroi mbështetjen e hershme kubane për grupet revolucionare në Venezuelë dhe përfshirjen në tentimin për grushtet më 4 shkurt të vitit 1992, të cilin e kryesonte nënkoloneli i ri me emrin Ugo Çavez.

“Pjesa tjetër është histori”, shprehet Orlando Avedano. em/mp/

 

 

Таг
Back to top button
Close