BallkanBallkan.PortalSvet.Slajder

Bushati-Cerar: Sllovenia, rol lobues në rrugën e Shqipërisë drejt BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, priti në takim  Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Miro Cerar, në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë. 

Tiranë, 27 nëntor 2018 (MIA) – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, priti në takim  Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Miro Cerar, në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë.

Sipas mediave vendore, bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore, tradicionalisht shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes vendeve.

Bushati vlerësoi qëndrimin mbështetës të Sllovenisë për hapjen e negociatave me BE, në muajin qershor 2019, mbështetje e cila vjen si rezultat i leximit të rezultateve konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Po  ashtu,  Bushati nënvizoi se një rol proaktiv dhe lobues i Sllovenisë, ashtu siç ka qenë për marrjen e statusit të vendit kandidat, do të ishte më se i mirëpritur edhe për hapjen e negociatave në qershor 2019.

Ai e falënderoi homologun slloven për mbështetjen e Shqipërisë për Kryesinë e OSBE-së për vitin 2020 dhe u shpreh optimist për akordimin e veprimeve të përbashkëta për sigurimin e vendit të anëtarit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë të OKB për periudhën, 2022-2023.

Gjatë bisedimeve konstruktive dhe miqësore u theksua se rajoni i Ballkanit Perëndimor, duhet të ketë një të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian dhe po aq i rëndësishëm mbetet edhe integrimi dhe bashkëpunimi midis vetë këtyre vendeve.

Po ashtu, bashkëbiseduesit vunë në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në drejtim të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë bisedës, u nënvizua nevoja për një rritje cilësore dhe impulse të reja në thellimin e bashkëpunimit ekonomik për ta ngritur këtë në nivelin e bashkëpunimit politik.

Në këtë kuadër, dy ministrat përshëndetën Forumin e Biznesit shqiptaro-slloven, duke vlerësuar interesin e dyanshëm dhe potencialin real të pashfrytëzuar deri tani duke theksuar se bashkëpunimi ekonomik, do të jetë një prioritet për dy ministritë e Jashtme dhe diplomacinë ekonomike.

Bushati theksoi se Forumi i biznesit është dëshmia e fundit e angazhimit të përbashkët si dhe një konfirmim i potencialit real për rritjen e shkëmbimeve tregtare, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe nxitjen e investimeve. Në këtë kontekst, në Forumin e Biznesit Shqipëri-Slloveni, u vu theksi tek rëndësia e bashkëpunimit në fushën  e turizmit, energjisë, mjedisit, agro-përpunimit, farmaceutikës, infrastrukturës, etj.

 

Таг
Back to top button
Close